SHBA-ja zotohet se do të hakmerret për sulmet në Kabul

Bota

SHBA-ja zotohet se do të hakmerret për sulmet në Kabul

Më: 27 gusht 2021 Në ora: 08:44
Afganët shoqërojnë një të plagosur nga sulmet në Kabul, 26 gusht, 2021.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua se do të hakmerret kundër grupit militant Shteti Islamik, pasi sulmet e tij vetëvrasëse jashtë aeroportit të Kabulit vranë së paku 13 ushtarë amerikanë dhe 90 afganë.

Sulmet ndodhën të enjten, vetëm pak ditë para afatit të 31 gushtit për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani.

“Nuk do të falim. Nuk do të harrojmë. Do t'ju kapim dhe do t'ju bëjmë të paguani”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.

Ai tha se forcat amerikane do ta shënjestrojnë Shtetin Islamik Khorasan në një kohë dhe vend të zgjedhur prej tij. Shteti Islamik Khorasan është dega e grupit ekstremist në Afganistan dhe Pakistan, e cila ka marrë përgjegjësinë për sulmet në aeroportin e Kabulit. Dega është rivale e talibanëve.

“Unë gjithashtu kam urdhëruar komandantët e mi të zhvillojnë plane operacionale për të goditur pasuritë, udhëheqjen dhe objektet e Shtetit Islamik Khorasan”, tha Biden.

Shtetet e Bashkuara kanë koordinuar me talibanët evakuimet e qytetarëve të huaj dhe afganë, qëkur kryengritësit kanë marrë kontrollin e Afganistanit, më 15 gusht.

Sulmet terroriste nuk do t'i pengojnë Shtetet e Bashkuara nga misioni i tyre për të evakuuar nga Afganistani mijëra qytetarë amerikanë, aleatë dhe afganë në rrezik, tha Biden.

“Ne nuk do të pengohemi nga terroristët. Nuk do t'i lejojmë ata të ndalojnë misionin tonë. Ne do të vazhdojmë evakuimin”, tha Biden, duke shtuar se mbi 100,000 njerëz janë larguar nga Afganistani vetëm në 12 ditët e fundit.

Biden konfirmoi se trupat amerikane do të largohen nga Afganistani më 31 gusht dhe shtoi se ka mjaft kohë në ditët e ardhshme për të përfunduar evakuimet.

LEXONI EDHE KËTË:

Evakuimi nga Kabuli duhet të mbetet prioritet, thotë NATO-ja

Rreth 1,000 qytetarë amerikanë vlerësohet se janë ende në Afganistan.

Biden i përshkroi shërbyesit e ushtrisë amerikane që vdiqën në sulme si “heronj që kanë qenë në një mision të rrezikshëm, për të shpëtuar jetën e të tjerëve”.

Administrata e tij është fajësuar për një evakuim kaotik, pas rënies së Qeverisë afgane të mbështetur nga SHBA-ja dhe marrjes së kontrollit nga talibanët.

Gjenerali amerikan, Kenneth McKenzie, udhëheqës i Komandës Qendrore të SHBA-së, tha se militantët e Shtetit Islamik shpërthyen dy bomba vetëvrasëse pranë Portës Abbey në aeroportin e Kabulit, ku trupat amerikane frenonin turmat e afganëve, që bënin përpjekje të largoheshin.

Persona të armatosur gjithashtu hapën zjarr ndaj civilëve dhe forcave ushtarake.

McKenzie tha se forcat amerikane po koordinojnë sigurinë me talibanët dhe planifikojnë të vazhdojnë evakuimet, pavarësisht kërcënimeve për sulme të mëtejshme.

LEXONI EDHE KËTË:

Çfarë ndodh me evakuimet pasi SHBA-ja të largohet nga Afganistani?

Shteti Islamik Khorasan mori përgjegjësinë për sulmet, duke thënë se njëri prej sulmuesve të tij vetëvrasës ka pasur në shënjestër “përkthyes dhe bashkëpunëtorë të ushtrisë amerikane”.

Videot e postuara në internet treguan dhjetëra trupa të shpërndarë rreth një kanali pranë aeroportit.

“Gjysma e njerëzve u hodhën në ujë dhe të tjerët [u rrëzuan] për tokë. Ne i bartëm të plagosurit këtu [në spital]. Rrobat e mia janë të mbuluara plotësisht me gjak”, tha një dëshmitar që nuk donte të identifikohej.

Disa aleatë të SHBA-së, përfshirë Kanadanë, Holandën, Belgjikën dhe Gjermaninë, kanë përfunduar tashmë evakuimet e tyre nga Afganistani, përpara tërheqjes së SHBA-së, më 31 gusht.

Të enjten, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët iu bënë thirrje civilëve që të qëndrojnë larg aeroportit, pasi informacionet e inteligjencës sugjeronin se Shteti Islamik Khorasan po planifikonte një sulm./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat