Rusia tregon 'dhëmbët', raketa hipersonike 'Zircon', gati vitin e ardhshëm

Bota

Rusia tregon 'dhëmbët', raketa hipersonike 'Zircon', gati vitin e ardhshëm

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 16:30
Foto ilustrim

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të mërkurën se testimi i raketës hipersonike 'Zircon' është afër përfundimit dhe se raketat e para do t’u jepen forcave detare në vitin 2022.

Rusia muajin e kaluar tha se ka testuar me sukses një raketë të tipit “Zircon” për herë të parë nga një nëndetëse, shkruan Reuters.

“Tani është veçanërisht e rëndësishme të zhvillohen dhe të zbatohen teknologji të nevojshme për krijimin e sistemeve të reja të armëve hipersonike, laserëve të fuqishëm dhe sistemeve robotike që do të jenë në gjendje për t’u bërë ballë në mënyrë efektive kërcënimeve të mundshme ushtarake, që do të thotë se ato do ta fuqizojnë më tej sigurinë e vendit tonë”, tha presidenti rus.

Sipas tij, gjatë testimit, raketa e re i ka goditur me sukses caqet në tokë dhe në det, kur është hedhur nga anijet ose nga hapësira nënujore.

Disa ekspertë perëndimorë e kanë vënë në pikëpyetje atë se sa e avancuar është arma ruse e gjeneratës së re, por kanë pranuar se kombinimi i shpejtësisë, aftësisë për të manovruar dhe lartësisë së raketave hipersonike i bën ato të vështira për t’u përcjellë dhe për t’u penguar.

Këto raketa fluturojnë me shpejtësi së paku pesë herë më të madhe se shpejtësia e zërit në shtresën e sipërme të atmosferës ose rreth 6.200 kilometra në orë. Megjithatë, kjo shpejtësi është më e ulët se e raketës balistike ndërkontinentale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat