Siri, fëmijët e huaj të Shtetit Islamik

Bota

Siri, fëmijët e huaj të Shtetit Islamik

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 20:43
Femijet

Kur militantët e Shtetit Islamik pushtuan territore në Siri dhe Irak, luftëtarë nga e gjithë bota iu bashkuan atyre, në shumë raste duke sjellë me vete fëmijë shumë të vegjël. Ndësa kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë dhe një pjesë e atyre luftëtarëve janë vrarë apo burgosur, shumë prej fëmijëve të tyre kanë mbetur në Siri, të padëshiruar dhe të braktisur nga shtetet e tyre të origjinës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Heather Murdock sjell më shumë hollësi nga Tal Marouf në verilindje të Sirisë.

Zyrtarisht, kjo qendër është një ‘shkollë’ ku mësohet matematika, anglishtja, arabishtja dhe shkenca.

Por ndërtesa shërben edhe si qendër paraburgimi për djemtë që u sollën nga prindërtit e tyre, kur iu bashkuan Shtetit Islamik, tashmë të rrënuar, kur ata ishin shumë të vegjël. Këta djem, ku më të vegjlit janë 12 vjeçarë, vijnë nga 22 shtete të ndryshme të botës.

Ata thonë se ëndërrojnë të kthehen në atdhe, ku jetët e tyre ishin më të lumtura. Mohammad, shtetas i Trinidadit, i tha Zërit të Amerikës se në mendje i vinë ditët e lumtura kur jetonte në vendin nga ka ardhur.

“Më pëlqente kur dilja me prindërit, vajtja në dyqan për të blerë lodra”, thotë Mohammad.

16 vjeçari, si shumica e djemve këtu, u transferua në Qendrën Huri nga kampi al-Hol. Që nga përmbysja e Shtetit Islamik, afro tre vjet më parë, dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë nga e gjithë bota kanë jetuar në kushte të rënda në kampin al-Hol.

Ata janë pjestarë të familjeve të militantëve, shumë prej tyre të zhdukur, në burg ose të vdekur. Kampi është vatër e nxehtë ekstremizmi, ku gratë zbatojnë hapur rregullat mizore të Shtetit Islamik me dënime të dhunshme, përfshirë shumë vrasje.

Qendra Houri u krijua nga qeveria gjysmë autonome e Sirisë verilindore për të parandaluar radikalizimin e këtyre djemve dhe tjetërsimin e tyre në brezin e ardhshëm të militantëve.

Aktualisht, Forcat Demokratike Siriane janë përgjegjëse për sigurinë e rajonit. Kjo ushtri e udhëhequr nga kurdët luftoi dhe ndihmoi në mposhtjen e militantëve. Farhad Shami, pjestar i kësaj force, i tha Zërit të Amerikës se qëllimi është mbrojtja e këtyre fëmijëve.

Familjet në kamp kanë të drejta, kështu që fëmijët qëndrojnë me nënat e tyre deri në moshën 12 vjeçare, pastaj transferohen në Qendrën Houri. Po të shkoni në kampin al-Hol, fëmijët do t'ju qëllojnë me gurë, brohorasin sllogane të IS dhe do t'ju quajnë ‘të pafe’”, thotë ai.

Rreth 12,000 të dyshuar si luftëtarë ISIS, nga 55 shtete, janë në burgjet e improvizuara në verilindje të Sirisë, pa asnjë datë të caktuar për gjykim nëse janë fajtorë apo të pafajshëm.

Ka patur tentativa për arratisje nga burgu në bashkëpunim me celulat e fshehta që veprojnë në terren.

Rojet thonë se situata është si një bombë që pritet të shpërthejë.

Djemtë thonë se Qendra Houri është një burg për fëmijët që nuk janë akuzuar për krime.

Drejtuesit e qendrës nuk e kundërshtojnë tragjedinë e këtyre djemve, duke thënë se pa ndihmën e vendeve të tjera e ardhmja e tyre do të jetë edhe më e zymtë. Kur mbushin 18 vjeç, djemtë në Qendrën Houri transferohen në një burg për të rriturit.

Shumë prej djemve thonë se kanë makthe për ‘errësirën’ me të cilën përballen. “Nëse qëndroj në Siri nuk kam se çfarë të bëj. Nuk mund të bëj asgjë për t’u kthyer në vendin tim”, thotë 16 vjeçari Mohammad në Trinidadi.

Drejtuesit e qendrës thotë se djemtë sirianë mund të dalin para gjykatës dhe të dënohen ose të lirohen. Por për djemtë nga vendet e tjera nuk ka një mekanizëm që ofron ndonjë të ardhme. Shpresa e vetme, thonë ata, është që shtetet e huaja të pranojnë kthimin e këtyre fëmijëve në vendet e tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat