Qeveritë në botë rimendojnë masat e reja për të luftuar variantin omicron

Bota

Qeveritë në botë rimendojnë masat e reja për të luftuar variantin omicron

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 14:10
Foto ilustrim

Franca shton përpjekjet për të nxitur vaksinimin kundër COVID-19, ndërsa qeveritë në mbarë botën po rimendojnë masat e reja për të luftuar variantin omicron të coronavirusit. Autoritetet shëndetësore franceze kanë zbuluar të paktën 9 raste të infektuar me variantin e ri.

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Arsimit, numri i klasave të mbyllura për shkak të COVID-19 këtë javë është 4,578, ose 0,9% e klasave të përgjithshme, përgjysmuar nga një javë më parë .

“Po mendohet vaksinimi i moshave 5-12 vjeç, në çdo rast nuk po shkojmë drejt vaksinimit të detyrueshëm të fëmijëve, por sido që të jetë, padyshim që jemi shumë të vëmendshëm ndaj asaj që na thonë autoritetet shëndetësore për mundësinë e vaksinimit”, u shpreh Jean-Michel Blanquer, ministri francez i Arsimit.

Në Kroaci raportohet për më pak raste të reja të infektimit me coronavirus, 4521, që është rreth 1000 më pak se një javë më parë. Përqindja e rasteve pozitive është rreth 37 për qind. Janë 2400 pacientë në spital dhe 313 me aparate respiratore. 53 persona humbën jetën nga coronavirusi. Ideja e vaksinimit të detyrueshëm kundër coronavirusit nuk është ende në agjendën e qeverisë, por masat kundër pandemisë do të varen nga situata epidemiologjike.

Spitali COVID-19 i Zagrebit, zhvilloi një takim me një delegacion epidemiologësh nga Izraeli, të cilët bëjnë fushatë për vaksinimin e fëmijëve kundër COVID-19.

Kryeministri britanik Boris Johnson mori një dozë të tretë të vaksinës COVID-19 në një spital të Londrës, ndërsa Mbretëria e Bashkuar përshpejton fushatën e saj përforcuese, duke u zotuar të vaksinojë të gjithë të rriturit deri në fund të janarit.

Qendrat e vaksinimit anembanë Londrës kane një fluks të vazhdueshëm njerëzish që shkojnë për tu vaksinuar. Por shqetësimet shtohen me shfaqjen e variantit të ri omicron .

Qendra e vaksinimit St. Charles në Londrën qendrore ka vaksinuar rregullisht njerëzit gjatë gjithë pandemisë, por stafi pret një rritje të rezervimeve pas zbulimit të omicron.

“Mendoj se duhet të vaksinohemi çdo gjashtë muaj dhe jam kundër atyre që nuk vaksinohen sepse janë ata që bllokojnë gjithçka”, tha Clelia Colombani Francey, person i vaksinuar.

Deri më tani ka pasur 42 raste të konfirmuara me omicron në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse ende nuk është e qartë se sa i rrezikshëm është ky variant.

Aktualisht më pak se 70% e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar janë vaksinuar. Deri në fund të janarit qeveria britanike synon t’u ofrojë të gjithë personave 18 vjeç e lart dozën e tretë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat