NATO konfirmon atë që të gjithë i frikësoheshin, lufta mund të përhapet edhe në dy shtete tjera

Bota

NATO konfirmon atë që të gjithë i frikësoheshin, lufta mund të përhapet edhe në dy shtete tjera

Më: 4 mars 2022 Në ora: 14:28
NATO

(E plotësuar 17:04) - NATO konfirmon atë që të gjithë i frikësoheshin, lufta mund të përhapet në Bosnjë dhe në një shtet tjetër

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm të NATO-s është përmendur edhe rreziku i përhapjes së konfliktit në vendet e tjera pas atij në Ukrainë.

Ata diskutuan nevojën për të mbështetur partnerët që mund të jenë në rrezik të përhapjes së luftës në Ukrainë, duke përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, përsëriti se “agresioni i Rusisë ka krijuar një normalitet të ri për sigurinë, ku parimet themelore kontestohen përmes përdorimit të forcës”.

Në këtë normalitet të ri, ministrat ranë dakord se marrëdhënia e NATO-s me Rusinë ka ndryshuar rrënjësisht për një afat të gjatë, por ata mbeten të përkushtuar për të mbajtur kanalet diplomatike të hapura për të shmangur çdo përshkallëzim të paqëllimshëm.

“Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti”, tha Stoltenberg, duke shtuar megjithatë se NATO ka “përgjegjësi për të siguruar që ai të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte edhe më shkatërruese dhe më e rrezikshme”.

Pas takimit, Aleanca tha se është fuqishëm e përkushtuar ndaj Artikullit 5, i cili thotë se nëse sulmohet njëri prej shteteve konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

“NATO është Aleanca më e fuqishme ushtarake në histori”.

Takimi ishte një mundësi për ministrat që të trajtonin gjithashtu implikimet afatgjata të agresionit të Rusisë për sigurinë euroatlantike.

Në takim, ministrave të jashtëm të NATO-s iu bashkuan edhe ministrat e jashtëm të Finlandës dhe Suedisë, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, iu drejtua homologëve të tij me një video-mesazh, ku foli edhe përkeqësimin e situatës humanitare në vendin e tij.

Ministrat dënuan pushtimin brutal dhe të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe shprehën solidariteti e mbështetje për guximin e popullit ukrainas dhe forcave të armatosura.

Sipas një deklarate për shtyp, NATO tha se ka shqyrtuar përgjigjen e saj ndaj krizës.

Përveç mijëra trupave të tjera që aleatët kanë dërguar tashmë në pjesën lindore të Aleancës, NATO tha se po vendos për herë të parë Forcën e Reagimit, e cila ka 130 avionë në gatishmëri dhe mbi 200 anije”.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që duhet për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg. 

 A po shkon NATO drejt luftës me Rusinë? Diskutohet sot zona e “ndalim-fluturimit”

NATO do të diskutojë në samitin e sotëm edhe temën për vendosjën e një “një zone ndalim-fluturimi” në qiellin e Ukrainës, ashtu siç është kërkuar shpesh deri më tani nga politikanët vendas, si edhe mjaft të tjerë ndërkombëtarë.

Një gjë e tillë u konfirmuar nga ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares sipas “Financial Times”, i cili tha: Ne do të diskutojmë mbi mundësinë e vendosjes së një “zone ndalim-fluturimi” në Ukrainë.

Sipas “FT”, vendosja e kësaj “zone ndalim-fluturimi” është thuajse e pamundur për NATO-n pasi do të çonte në përplasje të menjëhershme me Rusinë, gjë që është mbështetur së fundmi edhe nga qeveria e Lituanisë, e cila i quajti thirrjet për këtë gjë, një veprim të papërgjegjshëm.

Çfarë është një “zonë ndalim-fluturimi?

Ideja e vendosjes së një zone ndalim-fluturimi është bërë e njohur pas Luftës së Parë Botërore, ku Gjermanisë iu imponua një masë e tillë sipas traktatit të Versajës. Por zonat e ndalim-fluturimit datojnë që në vitet 1990 pasi Sadam Hussein, diktatori i i Irakut, sulmoi kurdët në veri të vendit të tij dhe shiitët në jug.

Amerika, Britania dhe Franca shpallën zona të ndalim-fluturimit, pjesën veriore të Irakut dhe një pjesë të jugut. Vendime të ngjashme u zbatuan nga NATO mbi Bosnje dhe Hercegovinën midis 1993 dhe 1995 dhe në Libi në 2011, në një luftë që rrëzoi Muammar Gaddafin, udhëheqësin e vendit.

Zonat e ndalim-fluturimit parandalojnë një vend që të përdorë avionë luftarakë për të sulmuar objektivat ushtarakë ose civilët në terren. Por ky përfitim humanitar ka një kosto. Nuk mjafton thjesht një miratim. Për të kryer patrullime të tilla, hapësira ajrore duhet të jetë e sigurt në mënyrë që avionët e saj të mos rrëzohen.

Dhe kjo kërkon identifikimin, bllokimin ose shkatërrimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore në tokë.

Të zhvillosh luftë kundër Irakut dhe Libisë është diçka tjetër. Të bësh këtë kundër Rusisë nënkupton diçka tjetër.

“Kjo nënkupton në thelb se ushtria amerikane do të rrëzonte avionët rusë,” paralajmëroi Shtëpia e Bardhë më 28 shkurt.

“Kjo është padyshim pëshkallëzim i situatës dhe potencialisht do të çonte në një konflikt ushtarak me Rusinë".

“Një zonë ndalim-fluturimi “do të përfshinte avionët luftarakë britanikë që do të rrëzonin avionët luftarakë rusë“, tha Ben Wallace, sekretari i mbrojtjes së Britanisë, më 2 mars.

Ai tha se diçka e tillë do të nxiste një konflikt me NATO-n në dhe do të  çonte në “një luftë kundër Rusisë, në të gjithë Europën”. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se aleanca “nuk ka plane të dërgojë trupa Ukrainë, as nga toka dhe as nga ajri.”

Zonat e ndalim- fluturimit kanë gjithashtu kufizimet e tyre. Kur kjo masë u miratua në Bosnjë kishte për qëllim të ndalonte fluturimet me helikopterë. Dhe ndërsa zonat e ndalim-fluturimit mund të parandalojnë një pushtues që të përdorë avionë, ato nuk bëjnë asgjë për t’i ndaluar ata të përdorin forca të tjera – si autokolona rusë, e cila ndodhet 15 milje larg nga Kievi.

NATO e shqetësuar: Rusia po përdor municione të ndaluara në Ukrainë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg , tha se ka prova që Rusia po përdor municione të ndaluara për pushtimin e Ukrainës.

Në një konferencë gjatë fjalimit të tij në Samitin e ministrave të Jashtëm në Bruksel, Stoltenberg u tha gazetarëve se NATO ka parë se Rusia po përdor municione të ndaluara (cluster bombs), që janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Ne kemi parë përdorimin e municioneve thërrmuese dhe kemi parë raporte për përdorimin e llojeve të tjera të armëve që do të ishin në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha Stoltenberg.

Ai gjithashtu tha se aleanca ushtarake perëndimore nuk do të krijojë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë dhe as do të dërgojë trupat e saj atje.

Megjithatë ai premton se NATO do ndihmojë Kievin në mënyra të tjera, duke i kërkuar sërish Presidentit Vladimir Putin që t’i japë fund pushtimit urgjentisht.

***

Sekretari i përgjthshmë i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëron se ka të ngjarë që ditët në vijim të jenë më të këqija për sa i përket luftës Rusi-Ukrainë.

Gjatë fjalimit të tij në Samitin e ministrave të jashtëm në Bruksel, Stoltenberg, tha se Rusia mund të përdorë armë më të rënda ndërsa sulmet ruse vazhdojnë në një pjesë të madhe të Ukrainës.

Stoltemberg nënvizoi se pushtimi i Ukrainës nga Rusia është luftë e Putinit, shkruan Skynews. Ndër të tjera, Stolrenberg i bëri sërish thirrje Rusisë të tërheqë trupat ushtarakë nga Ukraina.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit Putin që të ndalojë menjëherë këtë luftë, të tërheqë të gjitha forcat e tij nga Ukraina pa kushte dhe të angazhohet në diplomaci të vërtetë tani”.

Stoltenberg tha se NATO “nuk është pjesë e këtij konflikti”, por ka një “përgjegjësi për të siguruar që të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës”.

Ai tha se kjo do të ishte gjithnjë më “shkatërruese dhe e rrezikshme”.

Ministrat ranë dakord se marrëdhënia e NATO-s me Rusinë ka “ndryshuar rrënjësisht” në planin afatgjatë", shton Stoltenberg.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat