Cilësia e ajrit është e dobët për 99 për qind të popullsisë së botës, thotë OBSh-ja

Bota

Cilësia e ajrit është e dobët për 99 për qind të popullsisë së botës, thotë OBSh-ja

Më: 5 prill 2022 Në ora: 07:00
Foto ilustrim

Pothuajse askush në botë nuk po thith ajër të mirë, sipas një raporti të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku bëri thirrje për reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Më e keqja cilësi e ajrit është në rajonet e Mesdheut Lindor dhe Azisë Juglindore sipas OBSh-së, por 99 për qind e popullsisë globale thith ajër që tejkalon kufijtë e cilësisë së ajrit dhe përmban grimca që shkaktojnë sëmundje. Cilësia e ajrit është gjithashtu veçanërisht e dobët në Afrikë.

“Pas mbijetesës së një pandemie, është e papranueshme që të ketë ende 7 milionë vdekje të parandalueshme dhe vite të panumërta të humbura të parandalueshme të shëndetit të mirë për shkak të ndotjes së ajrit”, tha Dr. Maria Neira, kreu i Departamentit të Mjedisit, Ndryshimeve Klimatike dhe Shëndetit të OBSh-së.

Grimcat e rrezikshme në ajër mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të hyjnë në venat dhe arteriet, duke shkaktuar sëmundje. Këto grimca vijnë nga transporti, termocentralet, bujqësia, djegia e mbetjeve, industria dhe burime natyrore si pluhuri i shkretëtirës.

Ekspozimi ndaj dioksidit të azotit mund të kontribuojë në astmë dhe të shkaktojë simptoma duke përfshirë kollën dhe vështirësinë në frymëmarrje.

“Grimcat, veçanërisht PM2.5, janë të afta të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar ndikime kardiovaskulare, cerebrovaskulare [goditje] dhe respiratore. Ekzistojnë prova se grimcat ndikojnë në organe të tjera dhe shkaktojnë sëmundje të tjera gjithashtu”, tha OBSh-ja.

Nevojitet ndryshim i madh për të frenuar ndotjen e ajrit, tha për Associated Press, Anumita Roychowdhury, një eksperte e ndotjes së ajrit në Qendrën për Shkencën dhe Mjedisin, një organizatë kërkimore dhe avokuese në Nju Delhi.

Kjo do të përfshinte një zhvendosje nga karburantet fosile, shkallëzimin masiv të energjisë së gjelbër, ndarjen e llojeve të mbetjeve dhe përdorimin e automjeteve elektrike, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat