Shri Lanka ndalon shitjen e karburanteve për makinat private

Bota

Shri Lanka ndalon shitjen e karburanteve për makinat private

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 08:43
Qindra vozitës duke pritur për t'u furnizuar me karburante, ditë më parë në Shri Lankë.

Shri Lanka ka pezulluar shitjen e karburanteve për makinat jo të domosdoshme, pasi ky shtet po përballet me krizën më të rëndë ekonomike në dekada.

Në dy javët e ardhshme, vetëm autobusët, trenat dhe makinat që shfrytëzohen për shërbime mjekësore dhe transportim të ushqimit, do të mund të blejnë karburante.

Shkollat në zonat urbane janë mbyllur dhe zyrtarët u kanë thënë 22 milionë banorëve që të punojnë nga shtëpitë.

Ky shtet i Azisë Jugore është duke negociuar marrëveshje për dalje nga kriza, pasi me vështirësi po paguan për importet e ushqimit dhe naftës.

Qeveria në këtë shtet ka thënë se do të ndalojë shitjet e karburanteve për makinat private deri më 10 korrik.

Bandula Gunewardena, zëdhënës në Qeverinë e Shri Lankës, ka thënë se ky shtet “nuk është përballur kurrë në histori me një situatë të tillë”.

Ekonomia e Shri Lankës është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, rritja e çmimeve të energjisë dhe politikat populliste për taksat.

Përgjatë fundjavës, zyrtarët kanë thënë se Shri Lanka ka pasur vetëm 9.000 tonë të naftës dhe 6.000 tonë të benzinës për të ndarë për shërbimet thelbësore në ditët në vijim.

Është vlerësuar se rezervat mund të zgjasin një javë, nëse ka kërkesë të rregullt./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat