Biden, Harris bisedojnë me bashkëshorten e basketbollistes së ndaluar në Rusi

Bota

Biden, Harris bisedojnë me bashkëshorten e basketbollistes së ndaluar në Rusi

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 13:27
Brittney Griner

Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris biseduan me bashshkëshorten e yllit të basketbollit amerikan Britney Griner për të theksuar angazhimin e administratës amerikane për të siguruar lirimin e saj nga Rusia sa më shpejt që të jetë e mundur, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.

Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se gjatë telefonatës me Cherelle Griner, presidenti "i ofroi mbështetjen e tij familjes së tyre dhe u angazhua për t'u siguruar të gjithë ndihmën e mundshme, ndërsa administrata e tij ndjek çdo rrugë për ta sjellë Brittney-in në shtëpi".

Brittney Griner u arrestua në një aeroport të Moskës në shkurt me akuzën e posedimit të vajit të kanabisit. Ylli i WNBA (ligës amerikane të basketbollit për gratë) dhe fituesja e dy medaljeve të arta olimpike me ekipin amerikan, e cila ka luajtur për klubin rus të basketbollit “UMMC Ekaterinburg”, po përballet me një akuzë për transport droge që mund të çojë në një dënim maksimal me 10 vjet burg, nëse shpallet fajtore. Gjyqi filloi të premten e kaluar dhe një seancë tjetër e tij do të fillojë të enjten.

Biseda telefonike e së mërkurës pasoi një letër që Britney Griner i kishte dërguar Presidentit Biden, ku i kërkonte të bënte "gjithçka që mundej" për ta sjellë atë në shtëpi.

Përfaqësuesit e Brittney Griner publikuan një pjesë të letrës së saj të hënën. “Ndërsa jam ulur këtu në një burg rus, vetëm me mendimet e mia dhe pa mbrojtjen e bashkëshortes, familjes, miqve, fanellës olimpike apo ndonjë suksesi tjetër, jam e tmerruar se mund të jem këtu përgjithmonë”, thuhet në letrën dërguar Presidentit Biden.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë thotë se Presidenti Biden i ka lexuar Chrelle Griner një pjesë të një letre që ai do t’ia dërgojë Brittney-t.

“Presidenti ka urdhëruar ekipin e tij të sigurisë kombëtare të jetë në kontakt të rregullt me familjen e Cherelle dhe Brittney, dhe me familjet e tjera të amerikanëve të mbajtur peng ose të ndaluar në mënyrë të padrejtë jashtë vendit”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat