Rrjedhje të gazit në tubacionet ruse nën Baltik

Bota

Rrjedhje të gazit në tubacionet ruse nën Baltik

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 12:54
Një gazsjellës rus në rajonin e Leningradit. Fotografi nga arkivi.

Suedia dhe Danimarka po hetojnë rrjedhje në dy gazsjellës rusë që kalojnë nën Detin Baltik dhe kompania që operon këto tubacione tha se këto rrjedhje janë “të paprecedentë”.

Suedia më 27 shtator lëshoi një paralajmërim duke treguar se janë zbuluar dy rrjedhje në gazsjellësin Rrjedha Veriore 1, pak kohë pasi një rrjedhje tjetër ishte zbuluar pranë tubacionit Rrjedha Veriore 2, duke shtyrë Danimarkën fqinje që të ndalojë kalimin e anijeve në një perimetër prej mbi 9 kilometrash.

Moska kishte ulur furnizimet me gaz për në Evropë përmes Rrjedhës Veriore 1 përpara se të pezullonte krejtësisht dërgesat në gusht, nën pretendimet se sanksionet e Perëndimit kanë shkaktuar pengesa teknike.

Gazsjellësi i ri, Rrjedha Veriore 2, është përfunduar së fundmi, por Gjermania ka hequr dorë nga planet për të funksionalizuar këtë tubacion, pak ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në shkurt.

Megjithatë, të dy gazsjellësit përmbajnë gaz.

Kompania Nord Stream AG, që operon këta gazsjellës, tha më 27 shtator se tri linja nënujore të sistemit të gazit të Rrjedhës Veriore, kishin pësuar dëme “të paprecedentë” brenda një dite. Kjo kompani shtoi se është e pamundur të thuhet nëse aftësia e funksionimit të sistemit të rrjetit të gazit do të mund të riparohet.

“Shkatërrimi që ndodhi brenda një dite në tri linja nënujore të gazsjellësit është i paprecedent. Ende nuk mund të dihet sesa do të duhet që të riparohet infrastruktura e transportit të gazit”, tha kompania Nord Stream AG.

Tubacioni i Baltikut, një gazsjellës që transporton gazin norvegjez për në Poloni me një kapacitet vjetor prej 10 miliardë metrash kub në ditë, pritet të inaugurohet më vonë gjatë 27 shtatorit./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat