Çmimi Nobel për Fizikë u ndahet tre shkencëtarëve

Bota

Çmimi Nobel për Fizikë u ndahet tre shkencëtarëve

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 14:30
Çmimi Nobel. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Çmimi Nobel për Fizikë u është ndarë tre shkencëtarëve: francezit, Alain Aspect, amerikanit, John Clauser dhe austriakut, Anton Zeilinger, për zbulimet e tyre në fushën e mekanikës kuantike.

Kjo shkencë e përshkruan natyrën në format e saj më të vogla.

Puna e tyre mund të hapë rrugën për një gjeneratë të re, potencialisht të pathyeshme, të kompjuterëve dhe sistemeve të komunikimit.

Ky çmim – i vjetër më shumë se një shekull – ka vlerën e 902.315 dollarëve amerikanë, dhe ndahet nga Akademia Mbretërore e Shkencave e Suedisë.

Nobeli për Fizikë është çmimi i dytë që ndahet këtë javë, pasi suedezi, Svante Paabo është nderuar në fushën e Mjekësisë më 3 tetor.

Në ditët në vazhdim do të ndahen çmimet Nobel për Paqe, Letërsi, Kimi dhe Ekonomi.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve mbahet më 10 dhjetor, për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit (1833-1896).

Ai njihet për shpikjen e dinamitit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat