​Çmimet e naftës u rritën për të tretën javë radhazi

Bota

​Çmimet e naftës u rritën për të tretën javë radhazi

Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 12:36
Foto ilustrim

Në tregjet botërore çmimet e naftës u rritën për të tretën javë radhazi, pasi tregtarët kanë frikë nga oferta e dobët, ndonëse për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike, mund të dobësohet edhe kërkesa.

Çmimi i fuçisë në tregun e Londrës u rrit javën e kaluar me 2.9 për qind, në 98.57 dollarë, ndërsa në tregun amerikan fuçia u rrit me 4.7 për qind, në 92.60 dollarë.

Javën e kaluar, tregjet u balancuan midis frikës për një recesion dhe kërkesës më të dobët, pas rritjes së normave të interesit në SHBA dhe Eurozonë, dhe frikës se embargoja e ardhshme e BE-së ndaj naftës ruse do të zvogëlojë më tej ofertën tashmë të pamjaftueshme.

Ndalimi i importit të naftës ruse në BE duhet të hyjë në fuqi më 5 dhjetor dhe grupi i ekonomive më të zhvilluara në botë, G7, ende po diskuton kufirin e çmimit të naftës ruse, i cili duhet të lërë ende hapësirë për tregtinë në fuçitë ruse jashtë BE-së.

Në të njëjtën kohë, inventarët komercialë në SHBA po bien dhe Uashingtoni ka përfunduar një program për të shitur naftë nga rezervat strategjike.

Mbështetje shtesë për çmimet u dha nga një dollar më i dobët, i cili mund të stimulojë më tej kërkesën pasi forcon fuqinë blerëse të blerësve me monedha të tjera.

"Dobësia e lehtë e dollarit dhe ndalimi i afërt i shitjeve të naftës ruse sigurisht që po mbështesin çmimet dhe fokusi po zhvendoset nga frika e recesionit në vështirësitë e furnizimit," tha analisti i PVM Oil Associates, Tamas Varga.

Mbështetje për çmimet e naftës dha edhe lajmi se Kina mund të lehtësojë kufizimet që lidhen me politikën e tolerancës zero ndaj COVID-it, gjë që do të stimulonte rritjen e ekonomisë së saj dhe rrjedhimisht kërkesën për naftë.

Numri i rasteve me COVID-19 në Kinë është rritur në nivelin më të lartë që nga gushti, por një ish-zyrtar i kontrollit të sëmundjeve tha se Pekini së shpejti do të bëjë ndryshime të rëndësishme në politikën e tij ndaj virusit.

Nga ana tjetër, prodhimi i anëtarëve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ra në tetor për herë të parë që nga qershori, dhe karteli tashmë po pompon 1.36 milionë fuçi në ditë më pak se sa ishte planifikuar.

Pasi çmimet e naftës u rritën me më shumë se 50 për qind vitin e kaluar, falë rimëkëmbjes së ekonomive nga kriza e koronës, ato janë rritur me më shumë se 20 për qind që nga fillimi i këtij viti, gjë që është kryesisht pasojë e luftës në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat