Disa nga fëmijët e politikanëve më të fuqishëm në Rusi janë pyetur nëse do të shkonin në vijën e parë të frontit në Ukrainë

Bota

Disa nga fëmijët e politikanëve më të fuqishëm në Rusi janë pyetur nëse do të shkonin në vijën e parë të frontit në Ukrainë

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 15:34
Ilya Medvedev

Vladimir Putin, një baba i divorcuar i dy vajzave, identitetin e të cilave ai e ka fshehur, ka kërkuar ta portretizojë luftën në Ukrainë si një betejë ekzistenciale midis Rusisë dhe Perëndimit për të mbrojtur vlerat tradicionale të familjes.

Kështu, më shumë se 300,000 burra rusë – kryesisht nga rajone më të varfra rurale – janë thirrur në ushtri për të forcuar përpjekjet e Kremlinit për luftë në Ukrainë që kur Putin njoftoi fillimin e mobilizimit në shtator.

Por që atëherë, shumë nga bijtë e privilegjuar të elitës së vendit kanë vazhduar të jetojnë në luks, me pushime në destinacione të largëta dhe duke u mburrur për gjendjen e tyre fizike të lartë, edhe pse ankesat vazhdojnë se burrat shumë të moshuar ose të papërshtatshëm për të luftuar janë dëbuar në vijat e para të frontit.

Ndërkohë, që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, shumë anëtarë të familjeve të disa zyrtarëve të shquar rusë kanë folur kundër pushtimit, kundër mobilizimit ose kanë bërë deklarata të paqarta rreth luftës.

Në këtë drejtim, sipas mediave të huaja, Ilya Medvedev, 27 vjeç, babai i të cilit Dmitry është një ish-president dhe nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se nuk kishte marrë thirrje për t’u bashkuar me ushtrinë.

Ndërsa Zaur Tsalikov, 31 vjeç, një nga dy djemtë e një zëvendësministri të mbrojtjes, hodhi poshtë sugjerimet se ai duhet të vendosej në Ukrainë.

“Pse nuk shkova vullnetarisht?”, ka pyetur ai. “Çfarë lidhje kam unë me forcat e armatosura? Ka ushtarakë, njerëz me profesione ushtarake. Unë nuk kam një prej tyre”.

Siç bëhet e ditur, kanë qenë gazetarët e gazetës ruse të lajmeve Vazhnye Istorii që kanë telefonuar disa djem dhe të afërm të figurave të larta politike, duke bërë që shumë prej tyre ta mbyllin telefonin menjëherë kur u pyetën nëse do t’i përgjigjeshin thirrjes nga Vladimir Putin, presidenti i Rusisë.

Në mesin e tyre, përveç atyre të përmendur më lartë ka qenë edhe Alexei Stolyarov – një bloger fitnesi 32-vjeçar, vjehrri i të cilit është Sergei Shoigu, ministri i mbrojtjes i Rusisë – i cili thuhet se ishte me pushime në Nepal kur pranoi një telefonatë nga gazetarët, shkruan The Telegraph.

Ai refuzoi të komentonte kur u pyet nëse do të shkonte në Ukrainë për të luftuar.

Ndërksa Liza Peskova, vajza e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, postoi një slogan kundër luftës në Instagram-in e saj një ditë pas fillimit të pushtimit, por e fshiu atë më vonë po atë ditë.

E djali i Peskovit, Nikolai, më vonë u duk viktimë e një telefonate shakaje, me telefonuesit që paraqiteshin si një zyrtar rekrutimi duke e urdhëruar atë të paraqitej në një komisariat ushtarak të nesërmen në mëngjes, në një përpjekje të dukshme për të testuar besimin se fëmijët e rusëve me ndikim do të ishin në gjendje të shmangë thirrjen.

Veç këtyre, në gusht, një politikan rus e denoncoi publikisht vajzën e tij si një “tradhtare” pasi ajo u shpreh kundër pushtimit, duke pretenduar se nuk kishte marrë pjesë në edukimin e saj që kur ishte tre vjeç dhe sugjeroi se kishte probleme mendore.

Eduard Isakov tha se ai kishte ndërprerë lidhjet me vajzën e tij 25-vjeçare Dianën “që nga momenti kur mora vesh se ajo kishte një pozicion anti-rus”.

Yaroslav Mironov, djali 44-vjeçar i Sergei Mironov, kreut të njërës prej katër partive kryesore pro-Kremlinit të Rusisë, dënoi Kremlinin për fillimin e luftës menjëherë pas fillimit të pushtimit.

Plaku Mironov, i cili ka qenë aktiv në mediat sociale duke festuar atë që ai e quan “çlirimi i Ukrainës”, tha se ai nuk mund të mbahet përgjegjës për pikëpamjet e djalit të tij. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat