Uashington, 22 nëntor – Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të arrijë një marrëveshje "të përhershme" me Iranin, e cila do ta pengonte Teheranin të pajisej me armë bërthamore edhe nëse në të ardhmen në Shtëpinë e Bardhë do të vinte një president që do të donte ta ndryshonte kursin.
"Ajo që po bëj është që, nëse kemi një president të paaftë pas katër vjetësh, apo pas 15 apo 20 vjetësh, unë do të bëj një marrëveshje që do të jetë e përhershme", tha Trump të shtunën në një intervistë telefonike për emisionin "Saturday in America" të Fox News, me gazetaren Kayleigh McEnany.
Ai i cilësoi zyrtarët iranianë si "shumë, shumë të vështirë" për bisedime. "Bëjmë një marrëveshje, e pastaj ata e prishin të nesërmen", tha presidenti amerikan.
Trump theksoi se ndryshimi i regjimit në Teheran nuk e ka preokupuar kurrë shumë. Sipas tij, SHBA-ja "ka rrëzuar tashmë dy regjime" dhe tani po merret me "grupin e tretë", gjë që ai e quajti "ndryshimi përfundimtar i regjimit", pa dhënë hollësi të tjera.
Nga "s'na duhet marrëveshje" te "marrëveshje e përhershme"
Deklarata e së shtunës vjen pas disa javësh me mesazhe kontradiktore nga Uashingtoni. Rreth dhjetë ditë më parë, Trump kishte shkruar në rrjetin e tij Truth Social se "nuk na duhet marrëveshje me Iranin" dhe se "ato ditë kanë kaluar". Ai njoftoi edhe se e kishte tërhequr nënpresidentin JD Vance nga bisedimet.
Të enjten, gjatë kthimit nga Kina, Trump tha për televizionin izraelit Channel 12 se "nuk po nxitohet" për asnjë vendim për Iranin dhe se "do të shohim çfarë ndodh pas fillimit të vitit të ri". Të premten, në konferencën e parë për media pas samitit trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe atë rus Vladimir Putin, ai deklaroi se iranianët duan marrëveshje, "por jo një marrëveshje që është e pranueshme për mua". Sipas tij, SHBA-ja kërkon "një marrëveshje të vërtetë, jo një marrëveshje të rreme".
Trump tha se me Xi-në dhe Putinin u fol gjerësisht për domosdoshmërinë që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore.
Sulme në Bahrein dhe në Ngushticën e Hormuzit
Ndërkohë, në terren tensionet nuk janë qetësuar. Të shtunën në mbrëmje, Garda Revolucionare e Iranit pretendoi se kishte sulmuar me raketa dhe dronë dy radarë të sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore "Patriot" në bazat Al-Riffa dhe Awali në Bahrein. Autoritetet e Bahreinit njoftuan se i kanë zmbrapsur disa sulme ajrore iraniane. Mbeturinat e rëna shkaktuan dëme, por nuk pati të lënduar.
Garda Revolucionare paralajmëroi se "hapësira ajrore iraniane është vijë e kuqe" dhe se çdo shkelje e saj do të marrë "përgjigje të ashpër dhe vendimtare".
Po të shtunën, Qendra Britanike për Operacionet Detare Tregtare (UKMTO) raportoi se dy cisterna u sulmuan në zonën e Ngushticës së Hormuzit, pa viktima. Irani e mban të bllokuar këtë ngushticë, nëpër të cilën dikur kalonte rreth një e pesta e naftës dhe e gazit natyror të botës. SHBA-ja, nga ana e saj, ka vendosur bllokadë mbi portet iraniane, ndërsa marina amerikane i shoqëron cisternat nëpër ngushticë.
Teherani kërkon heqjen e bllokadës
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, deklaroi se Teherani e trajton bllokadën ekonomike si "akt lufte". Sipas tij, kushti kryesor i Iranit është "përfundimi i luftës në të gjitha frontet", së bashku me heqjen e bllokadës dhe lirimin e aseteve të ngrira.
Përpjekjet diplomatike vazhdojnë përmes Katarit. Një delegacion i Katarit u takua të premten me zyrtarë iranianë në Teheran. Sipas portalit amerikan Axios, të dërguarit e Trumpit, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, ishin takuar një ditë më herët me zyrtarë të Katarit në Berlin.
Konflikti, që nisi në shkurt të këtij viti me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, mbetet temë e nxehtë edhe në Uashington. Të enjten, Senati amerikan rrëzoi me 51 vota kundër dhe 48 për një rezolutë mbi kompetencat e luftës, të miratuar më parë nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Sipas burimeve të CBS News, SHBA-ja dhe Izraeli po shqyrtojnë mundësinë e një sulmi të ri ndaj Iranit. Zyrtarë të lartë izraelitë thonë se kryeministri në detyrë, Benjamin Netanyahu, po i bën presion Uashingtonit për veprim ushtarak.