Përpjekje për bashkimin e forcave kurde Peshmerga në Irak

Bota

Përpjekje për bashkimin e forcave kurde Peshmerga në Irak

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 20:46
Foto nga vendi i ngjarjes

Një grup këshilltarësh ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë të tjerë të koalicionit global kundër grupit të Shtetit Islamik po punojnë ngushtësisht me forcat kurde në Irak, për modernizimin e tyre dhe për t’i përgatitur ndaj kërcënimeve të mundshme terroriste. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Sirwan Kajjo raporton nga qyteti Ranya, në rajonin kurd në Irak.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik po ndihmon forcat kurde në Irak për reformimin e tyre. Këto të fundit, të njohura si trupat Peshmerga, kanë qenë partnerët kryesorë të SHBA-ve në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Megjithatë grupet e luftëtarëve Peshmerga, veprojnë në mënyrë të pavarur. Një gjë që këshilltarët ushtarakë amerikanë shpresojnë ta ndryshojnë.

Qëllimi është të ndërtohen gjashtë deri në tetë divizione, çka do të bëjë të mundur që ato t’i raportojnë direkt autoriteteve të Peshmergas. Synohet që këto forca, njësitë 70 - 80 të përfshihen në këto divizione, me qëllim bashkimin e të gjithë forcave të sigurisë kurde”, thotë Patrick Caukin, kolonel i ushtrisë amerikane .

Njësitë e Peshmergas, të njohura si “70 dhe 80” janë të lidhura me dy partitë politike udhëheqëse në Kurdistanin Irakian: Bashkimi Demokratik i Kurdistanit, ose PUK komandon Njësinë 70, ndërsa Partia Demokratike e Kurdistanit, ose KDP njësinë 80. Tensionet historike mes dy palëve kanë penguar krijimin e forcave luftëtare të unifikuara në rajonin e pavarur në veri të Irakut.

Ne nuk jemi bërë pengesë. Çdo pengesë që shfaqet ndikon mbi Peshmergan. Ne po ndërmarrim hap pas hapi të gjitha reformat që janë kërkuar nga koalicioni. Dhe do ta bëjmë këtë. Kemi bërë githçka të nevojshme. Kemi vënë dhe një pjesë të brigadave tona nën vartësi të Ministrisë së Peshmergas”, thotë Mustafa Chawrash, komandant i Njësisë 70.

Pavarësisht tensioneve në rritje mes partive politike, shumica e luftëtarëve e kuptojnë urgjencën e bashkimit të forcave të sigurisë vendore.

Për sa kohë do të jetë Shteti Islamik dhe terroristët, do të jetëie nevojshëm dhe bashkimi i forcave tona. Kjo do të ishte e dobishme për të gjithë”, thotë Mustafa Chawrash .

Ata përmendin gjithashtu rolin kyç të këshilltarëve të koalicionit në këto momente.

“Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni kanë rol kyç në këtë proces reformimi. Ata na kanë ndihmuar shumë. Na kanë ofruar ndihma të konsiderueshme financiare, armatime dhe përmes këshillimit për forcat e Peshmergas”, thotë Babakir Zebari, komandant i Njësisë 80.

Megjithatë, ekspertët thonë se në fund të fundit është në dorën e udhëheqësve politikë kurdë që bashkimi i forcave të bëhet realitet.

Bashkimi i forcave të Peshmergas nuk është çështje teknike, ndaj dhe sjellja e disa këshilltarëve ushtarakë nuk mund të çojë në bashkim. Kjo kërkon vendim politik dhe ky vendim duhet të merret nga dy partitë kryesore”, thotë Hiwa Osman, analist i çështjeve kurde .

Militantët e Shtetit Islamik vazhdojnë të mbeten kërcënim dhe shumë njerëz shpresojnë të nxisin partitë politike që të lënë mënjanë kundërshtitë mes tyre dhe të përqëndrohen tek lufta ndaj armikut të përbashkët./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat