Qendër rehabilitimi për adoleshentët e Shtetit Islamik

Bota

Qendër rehabilitimi për adoleshentët e Shtetit Islamik

Më: 30 maj 2023 Në ora: 17:32
Në kampin al-Hol

Brenda një kampi në Sirinë verilindore, dhjetëra adoleshentë të lidhur me grupin Shteti Islamik janë futur në një program rehabilitimi për t’i distancuar nga ideologjia ekstreme të ushqyer nga prindërit e tyre, apo të marrë gjatë jetesës nën regjimin e militantëve ekstremistë në Siri dhe Irak. Përpjekjet për rehabilitimin e këtyre djemve vijnë ndërsa procesi i riatdhesimit drejt vendeve të tyre ka qenë i ngadaltë dhe shumë prej vendeve refuzojnë të pranojnë rikthimin e shtetasve të tyre.

Djemtë përgjithësisht adoleshentë bëjnë aktivitete të përditshme, si lojën me kubin, apo ping-pong, shikojnë ndeshje futbolli në një ekran të madh, apo mësojnë se si të lexojnë, të shkruajnë dhe të vizatojnë.

Atyre u mësohet gjithashtu disiplina, duke i mbajtur dhomat e tyre të pastra, me rregullimin e krevatëve çdo ditë, pastrimin e dyshemesë dy herë në javë, mbajtjen e rrobave jo të pastra jashtë dhomave të tyre dhe nxjerrjen e plehrave.

“Në sistemin e rehabilitimit të të miturve, kemi djem të radikalizuar. Disa prej tyre i ishin bashkuar Shtetit Islamik ushtarakisht dhe ideologjikisht duke u shndërruar kështu në një lloj njësie radikalizimi”, thotë Khaled Remo, drejtues i sistemit të burgjeve dhe qendrave të rehabilitimit në Sirinë verilindore.

Adoleshentët nga rreth 15 kombësi të ndryshme, ndër ta madje edhe francezë dhe gjermanë, u sollën në Qendrën Orkesh, pranë qytetit kufitar Qamishli, nga kampi në Sirinë verilindore, ku gjenden dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë të lidhur me Shtetin Islamik. Autoritetet synojnë gjithashtu të ndalin martesat e djemve adoleshentë me vajzat e reja në kamp.

“Qëndrimi i fëmijëve në kamp i ekspozoi ndaj dhunës në familje. Tashmë Shteti Islamik ka filluar të ndërmarrë një hap shumë të rrezikshëm, që ka të bëjë me riprodhimin seksual. Përse? Sigurisht pasi ata kanë plane”, thotë zoti Remo.

Ekziston frika se celula të fshehta të ISIS-it kanë inkurajuar djemtë dhe vajzat të martohen për të shtuar popullsinë, në rast se do të ndodhë një ringritje e këtij grupi pas mundjes që pësuan në Siri në vitin 2019.

Mbi 80% e popullsisë në kampin al-Hol janë gra dhe fëmijë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të jenë mbështetës të Shtetit Islamik.

Në fund të fundit gjithë çfarë mëson fëmija vjen nga shkolla e shtëpisë, dmth nga nëna. Nuk shohim ndonjë ndryshim të madh në sjelljen e fëmijëve, megjithë praninë e qendrave arsimore brenda kampit”, thotë Jihan Hanan, drejtuese e kampit al-Hol në Siri.

Popullsia e tanishme në kamp përbëhet nga 25 mijë të ardhur nga Iraku, 18 mijë nga Siria dhe 8 mijë gra dhe fëmijë të ardhur nga rreth 60 vende të tjera. Zonja Hanan thotë se djemtë që dërgohen në qendrat e rehabilitimit në Orkesh dhe Houri vijnë nga ky aneks që konsiderohet si më ekstremi, pasi ata mësojnë nga nënat e ardhura nga gjithë bota për t’iu bashkuar ISIS-it.

“Në pikëpamjen tonë, ata duhet të kalojnë një proces rehabilitimi në qendra të specializuara dhe nën vëzhgimin e stafit të specializuar. Kur këta fëmijë kalojnë moshën 12 apo 13 vjeçare, rriten fizikisht ndërsa ekspozohen ndaj mendësisë ekstremiste që ekziston në familje. Pra, ekspozohen ndaj shumë gjërave”, thotë zonja Hanan.

Gjatë një vizite në mars në një qendër në Irakun verior ku gjenden të riatdhesuarit nga kampi al-Hol, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e përshkroi kampin në Siri si “më të keqin në botë”. Ai shtoi se gati gjysma e popullsisë së al-Holit është nën moshën 12-vjeç, “me të drejta të mohuara, të prekshëm dhe të izoluar. Ata gjenden në një situatë të dëshpëruar pa ndonjë zgjidhje të pritshme”.

Popullsia e kampit u rrit së tepërmi pasi Shteti Islamik u mund në mars 2019 në Siri nga Forcat Demokratike Siriane, të kryesuara nga forcat kurde që gëzonin mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Mijëra familje që u sollën në atë kohë, gjenden ende në këtë kamp./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat