LIVE: Sulme ajrore në Ukrainë jugore, ky është bilanci i fundit/ Ja ku do të vazhdojë aktivitetet grupi “Wagner”

Bota

LIVE: Sulme ajrore në Ukrainë jugore, ky është bilanci i fundit/ Ja ku do të vazhdojë aktivitetet grupi “Wagner”

Nga: Bota sot Më: 20 korrik 2023 Në ora: 06:12 Përditësuar në ora: 19:45 më 20.07.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Grupi “Wagner” do të vazhdojë aktivitetet e tij në Afrikë

Themeluesi i kompanisë ruse të sigurisë “Wagner”, Yevgeny Prigozhin tha se ata do të vazhdojnë të luftojnë në vendet afrikane në të cilat ndodhen tashmë.

Prigozhin bëri deklarata për të ardhmen e “Wagner”-it në kontinentin afrikan duke u lidhur me transmetimin e kanalit televiziv “Afrique Media” që transmetohet në Kamerun.

“Nuk do të ketë ndonjë reduktim në programet tona në Afrikë”, tha Prigozhin. Ai tha se janë të gatshëm për detyrë nëse plotësohen kushtet e nevojshme në luftën kundër terrorizmit.

Revoltë kundër sundimit rus

Prigozhin nisi një rebelim të armatosur kundër qeverisë ruse me luftëtarët e tij në qershor. Kryengritja përfundoi me ndërhyrjen e presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko.

Lukashenko, i cili sugjeroi që “Wagner”-i të vendosej në vend pasi Prigozhin shkoi në Bjellorusi, tha se ushtria bjelloruse mund të përfitonte nga përvoja e luftëtarëve të “Wagner”-it.

Prigozhin e pranoi këtë ofertë dhe deklaroi se mercenarët do të qëndronin në Bjellorusi për një kohë.

Pas revoltës, pati edhe pyetje për të ardhmen e “Wagner”-it në Afrikë dhe u pretendua se grupi ishte tërhequr nga Republika e Afrikës Qendrore (RAQ), ku ndodheshin rreth 2.000 elementë të tij.

Këto akuza janë mohuar nga zyrtarët e RAQ. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov më 26 qershor tha se “Wagner” do të qëndrojë në Afrikë. 

Sulmet ruse në Ukrainë, humbin jetën tre persona në Odesa

Të paktën tre persona u vranë dhe një ndërtesë e konsullatës kineze u dëmtua në natën e tretë të sulmeve ajrore në qytete në Ukrainën jugore, thanë zyrtarët lokalë.

Guvernatori i Odesa, Oleh Kiper postoi një foto që tregon të paktën një dritare të thyer në konsullatën kineze në qytetin e Odesa. Nuk ka shenja për dëmtime të tjera.

Pekini, një aleat i Moskës, nuk ka komentuar ende incidentin. Dje të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se 60,000 ton produkte bujqësore të destinuara për në Kinë u shkatërruan në një sulm në portin e një qyteti tjetër ukrainas.

Moska thotë se po ndërmerr “sulme hakmarrëse”, disa ditë pasi u tërhoq nga një marrëveshje për eksportin e grurit përmes Detit të Zi dhe fajëson Ukrainën për shpërthimet në urën e Krimesë, të cilën e përdori për të transportuar municione.

Sipas forcave të armatosura të Ukrainës, Rusia lëshoi ​​19 raketa dhe 19 dronë gjatë natës. Pesë raketa dhe 13 prej këtyre avionëve u rrëzuan.

“Terroristët rusë vazhdojnë përpjekjet e tyre për të shkatërruar jetën e vendit tonë. Të gjithë së bashku do ta kalojmë këtë kohë të tmerrshme. Dhe ne do t’i rezistojmë sulmeve të së keqes ruse”, shkroi Zelensky në aplikacionin Telegram.

Në Odessa, një roje sigurie u vra dhe tetë persona të tjerë, përfshirë një fëmijë, u plagosën, tha Kiper.

Në Mykolife, një çift u vra, sipas kryebashkiakut Oleksandr Senkevich. Guvernatori rajonal Vitaly Kim raportoi më herët se 19 persona u plagosën dhe shumë ndërtesa u shkatërruan në qytet. Zjarrfikësit luftuan për të vënë nën kontroll një zjarr të madh në një ndërtesë trekatëshe, çatia e së cilës u shemb.

Kievi: Anijet për në portet e kontrolluara nga Rusia do konsiderohen ‘transportues ngarkesash ushtarake’

Ukraina njoftoi sot se do t’i konsiderojë anijet që lundrojnë drejt porteve ruse ose drejt porteve ukrainase nën kontrollin rus në Detin e Zi, si “transportues potencialë të ngarkesave ushtarake”, pas një vendimi të ngjashëm nga Rusia një ditë më pare.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha në një deklaratë se vendimi do të hyjë në fuqi që nga mesnata e sotme.

Ajo tha gjithashtu se lundrimi në pjesët verilindore të Detit të Zi, si dhe në kanalin Kerch-Yenikale është i ndaluar pasi është i rrezikshëm.

“Informacionet përkatëse të lundrimit për marinarët tashmë janë publikuar”, thuhet në deklaratë, e cila akuzoi Rusinë për “shkelje brutale të së drejtës universale për lundrim të lirë për gjithë botën” dhe “minim të qëllimshëm të sigurisë ushqimore, duke dënuar miliona njerëz të vdesin nga uria”.

Ukraina gjithashtu akuzoi Rusinë për kthimin e Detit të Zi në një “zonë rreziku” dhe ia drejtoi përgjegjësinë për të gjitha rreziqet në këtë drejtim udhëheqjes ruse.

Të mërkurën, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se do t’i konsiderojë të gjitha anijet në rrugë drejt porteve ukrainase në Detin e Zi si “transportues të mundshëm të ngarkesave ushtarake”, një vendim i cili tha se do të hyjë në fuqi nga mesnata e së mërkurës.

Vendimi erdhi pasi Moska u tërhoq nga Iniciativa e drithërave e Detit të Zi në fillim të kësaj jave.

SHBA presion Ukrainës që të hedhë në sulm të gjitha forcat e mbetura kundër armikut, Putin ndërmerr masa ekstreme

SHBA thuhet se po i bën presion Kievit për të hedhur forcat e mbetura kundër armikut. Në fakt, një artikull në Washington Post, titulli i të cilit ishte: "Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për një ndryshim vendimtar", në të cilin argumentohej nevoja për një përpjekje të mëtejshme sulmuese ukrainase.

Nga ana tjetër, frika e ushtarëve ukrainas për një kundërofensivë të Moskës po rritet dita-ditës. Tablonë e zymtë e ka përkeqësuar akoma më shumë lajmi seRusia po ndërton një forcë prej 100,000 ushtarësh për të sulmuar pjesën veriore të vijës së frontit, ndërsa vetë komandantët ukrainas kanë filluar ta pranojnë se kundërofensiva e tyre “ka ngecur”. Kolonel Serhi Cherevaty, një zëdhënës i ushtrisë ukrainase, tha se Rusia kishte urdhëruar gjithashtu batalionet e ish-të dënuarve Storm-Z të përgatiteshin për betejë dhe po gjuante më shumë se 500 predha në ditë në forcat ukrainase rreth Kupyansk. "Armiku ka përqendruar një grup shumë të fuqishëm," tha ai.

"Më shumë se 100,000 personel, më shumë se 900 tanke, më shumë se 550 sisteme artilerie dhe 370 sisteme raketash salvo”, shtoi koloneli.

Plani i Rusisë

Kupiansk, një qytet në rajonin e Kharkiv të Ukrainës, ishte një qendër logjistike dhe një rrugë e rëndësishme furnizimi për forcat pushtuese ruse në lindje, derisa Kievi e rimori atë gjatë kundërofensivës së tij vjeshtën e kaluar. Kolonel Serhi Cherevaty megjithatë, tha se aktualisht Rusia po përballet me humbje të trupave dhe armëve.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Ukraina thotë se gjatë natës ka rrëzuar pesë raketa lundrimi dhe 13 dronë

Më shumë sulme u raportuan në jug të Ukrainës gjatë natës, duke shkaktuar dëme në Mykolaiv dhe Odesa.

Ushtria e Ukrainës rrëzoi pesë raketa lundrimi dhe 13 dronë sulmues të lëshuar nga forcat ruse, thanë nga forcat ajrore të Kievit, raporton Skynews.

Ata shtuan se Rusia lëshoi 19 raketa lundrimi dhe 19 dronë në total.

Nuk është e qartë saktësisht se ku kanë goditur të tjerët.

NATO kthen sytë nga lindja, ja pse planet e reja të aleancës mund të ndezin një luftë katastrofike me “Dragoin”

Të jesh atje pa dhënë përshtypjen se je vërtet atje. Ky është synimi i ri dhe shumë i rëndësishëm i NATO-s. Në samitin e Vilnius-it, në Lituani, aleanca ratifikoi forcimin e bashkëpunimit me të ashtuquajturin grup AP4, ose partneri Azi-Paqësor i Aleancës Atlantike, të formuar nga Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re. Në thelb është një konsolidim i mëtejshëm i një tendence që ishte evidente tashmë një vit më parë, me rastin e samitit të mëparshëm të NATO-s të mbajtur qershorin e kaluar në Madrid. Udhëheqësit e AP4 vunë në dukje asokohe pandashmërinë e sigurisë së Indo-Paqësorit dhe Evropës, duke hedhur themelet për një fije të përbashkët të aftë për të lidhur dy zonat gjeopolitike. Të pranishmit gjithashtu kishin ndarë me dëshirë vullnetin për të koordinuar dhe promovuar bashkëpunimin e tyre si partnerë të NATO-s, duke shfrytëzuar avantazhet e tyre përkatëse dhe duke marrë një rol udhëheqës në thellimin e komunikimit midis Indo-Paqësorit dhe vetë Organizatës.

PA4

Pjesa e dytë e dosjes në lidhje me projeksionin e hijes së NATO-s në Azinë Lindore u inskenua në Vilnius. Pa inkorporuar anëtarë të rinj, Aleanca Atlantike thjesht do të fokusohet gjithnjë e më shumë në vendet e PA4, vendet e ngarkuara me përgjegjësinë e frenimit të kërcënimeve rajonale me pasoja globale. Të tilla kërcënime, janë pa dyshim rritja e Kinës, dinamizmi aziatik i Rusisë dhe testet raketore të Koresë së Veriut. Siç thuhet në faqen e NATO-s, Indo-Paqësori është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Aleancën, duke pasur parasysh se zhvillimet në atë rajon mund të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë euroatlantike. Ndaj, NATO-ja ka intensifikuar bashkëpunimin me partnerët e saj në rajonin Indo-Paqësor gjatë viteve të fundit, duke kulmuar me pjesëmarrjen e dyfishtë të krerëve të shteteve dhe qeverive të këtyre partnerëve në samitet e Madridit dhe Vilniusit.

Është e vetëkuptueshme që çdo anëtar i PY4 mban marrëdhënie dypalëshe me Aleancën, të udhëhequr nga një dokument kuadër partneriteti i miratuar bashkërisht dhe i cili identifikon çështjet me interes të ndërsjellë për bashkëpunim. Organizata i ka përditësuar së fundmi këto marrëveshje, në mënyrë që të rrisë shtrirjen e saj në një zonë shumë strategjike. Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re i janë bashkuar në Programit të ri të Partneritetit të Përshtatur Individualisht të NATO-s (ITPP). Për më tepër, ITPP të tilla janë korniza të angazhimit me Aleancën Atlantike bazuar në aftësitë, nevojat dhe interesat individuale të një partneri dhe përfshijnë përfshirjen e tij administrative, financiare dhe praktike në grupe dhe iniciativa të ndryshme pune.

Skenari i ri

Siç theksoi Japan Times, në përgjithësi, marrëveshjet e sipërpërmendura, të cilat janë pjesë e një formati të ri të NATO-s për partnerët globalë, u ofrojnë atyre mundësi për të zhvilluar ndërveprim me ushtritë e NATO-s, si dhe një platformë për t'u angazhuar, shkëmbyer informacione dhe për të përmirësuar ndërgjegjësimin e situatës për çështje të ndryshme. Ato gjithashtu lehtësojnë bashkëpunimin për çështjet transnacionale që kalojnë kufijtë rajonalë, si liria e lundrimit.

Prandaj, nëse nga njëra anë NATO ka vendosur kërcënimet kineze, ruse dhe koreano-veriore në zonën e Indo-Paqësorit në krye të agjendës së saj të prioriteteve, nga ana tjetër Kina e sheh si problem vullnetin e së njëjtës aleancë për të depërtuar në kontinentin aziatik.Pekini ka përsëritur për javë të tëra se përparimi i NATO-s në Azi-Paqësor do të përkeqësojë padyshim stabilitetin në rajon.

“Zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s drejt lindjes në rajonin Azi-Paqësor dhe ndërhyrja e Aleancës në çështjet rajonale do të dëmtojnë në mënyrë të pashmangshme paqen dhe stabilitetin”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Mao Ning, në një konferencë të fundit për shtyp.Media shtetërore e Kinës gjithashtu sulmoi NATO-n për hapat e saj ndaj demokracive në rajon me tabloidin “Global Times” që publikoi një editorial duke akuzuar grupin se është "burimi i luftës" kudo që shkon. “NATO duhet të tërheqë menjëherë dorën e zezë që ka shtrirë drejt rajonit të Azi-Paqësorit”, shkruhej ndër të tjera në artikull.

Ukraina paralajmëroi 20 vjet më parë se Evropa dhe SHBA kishin “pak si tepër besim te Putini”

Ukraina paralajmëroi dy dekada më parë se Perëndimi kishte një pamje “shumë rozë” për Vladimir Putinin, zbulojnë arkivat e sapo publikuara.

Sipas mediave të huaja, dokumentet e lëshuara nga Arkivi Kombëtar në mes të luftës në Ukrainë tregojnë se Leonid Kuchma, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, iu lut në vitin 2002, kryeministrit Tony Blair që të mbështeste ish-shtetin sovjetik që t’i bashkohej BE-së, por ambasadori britanik në Kiev sugjeroi që Mbretëria e Bashkuar e shihte Ukrainën si “jo vërtet evropiane”.

Dokumentet zbulojnë gjithashtu se Sir Tony tha se ishte “shumë i inkurajuar” nga bashkëpunimi i liderit rus me NATO-n pas 11 shtatorit, shkruan mediumi britanik The Telegraph.

Ndryshe, Ukraina shpalli pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, dhe një dekadë më vonë shihej ende si një demokraci e re nga Mbretëria e Bashkuar.

Një skedar 350 faqesh i korrespondencës së Downing Street për Ukrainën që daton nga viti 2001-2002 përfshin letra që parashtrojnë mendimin e Blair për marrëdhëniet e Britanisë me Ukrainën dhe Rusinë.

Më 15 nëntor 2001, dy muaj pas sulmeve terroriste të Al-Kaedës, Sir Tony tha në një letër drejtuar Lord Robertson, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s: “Jam i bindur nga kontaktet e mia me presidentin Putin se ekziston një dëshirë e vërtetë për të zhvilluar një partneritet të ri me NATO-n”.

Ai shtoi: “Jam shumë i inkurajuar nga qasja që presidenti Putin ka marrë për bashkëpunimin me NATO-n në luftën kundër terrorizmit”.

“Kontaktet që ju, unë dhe liderë të tjerë të NATO-s kemi pasur me presidentin Putin që nga 11 shtatori, sugjerojnë se tani kemi një mundësi për të arritur një transformim në sigurinë euroatlantike”.

Një tjetër “dokument” i brendshëm vë në dukje se Donald Rumsfeld, sekretari i atëhershëm i mbrojtjes i SHBA-së, tha se vendi i tij “përshëndeti dhe inkurajoi dëshirën e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n”, por pikëpamja e Mbretërisë së Bashkuar ishte se Ukraina ishte “larg nga përmbushja e kritereve” të aplikantëve të NATO-s, megjithëse “nuk mundet të përjashtohet si kandidat eventual” për anëtarësim.

Ndërkohë në shkurt të vitit 2002, Roland Smith, ambasadori britanik në Kiev, tha në një letër “të përcjellë” për z. Liddle se ai kishte shqetësime në lidhje me propozimin e sekretarit të jashtëm Jack Straw për t’i dhënë Ukrainës, Bjellorusisë dhe Moldavisë “status të veçantë fqinjësor” në kontekstin e marrëdhënieve me BE-në.

Smith paralajmëroi: “Mund të tingëllojë sikur kufiri përfundimtar lindor i BE-së po rregullohet përfundimisht dhe ‘statusi i fqinjit special’ është për ata që janë në anën e gabuar”. 

A është problematik ritmi i ngadalshëm i kundërofensivës ukrainase?

Gjashtë javë pas nisjes së kundërofensivës ukrainase – nga e cila komandantët ushtarakë dhe liderët politikë presin që ta ndryshojë rrjedhën e luftës së nisur nga Rusia – gjërat janë kështu:

Rreth 1.500 metra të rikthimit të territorit jugor në Orikhiv, rajonin e Zaporizhjas

Në jug, në qytezën e rajonit Donjeck, Velika Novosillka, përparimet janë më të mëdha: 8-9 kilometra prej vijës së frontit, që është regjistruar më 5 qershor.

Në verilindje, forcat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e qindra metrave të Bahmutit.

Prandaj, çfarë do të thotë kjo situatë për përpjekjet e Ukrainës?

Thënë shkurt, jo shumë, dhe pa thyer pikat kryesore mbrojtëse të ushtrisë ruse.

Prandaj edhe është shqetësuar Perëndimi.

“Mund të mos jetë duke u zhvilluar në shpejtësinë që do të donim”, ka thënë gjenerali Douglas Sims, shef i operacioneve të përbashkëta të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU

Sulmi në Odesa, Zelensky tregon qëllimin

“Sulmi i terroristëve në Odesa” tregon se Rusia nuk po synon vetëm Ukrainën, por edhe vende të tjera, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në fjalimin e tij të përditshëm të mbrëmjes të mërkurën vonë, përcjell Bota sot.

“Rreth një milion ton ushqime ruhen në portet që u sulmuan sot.

Ky është vëllimi që duhet të ishte dorëzuar në vendet konsumatore në Afrikë dhe Azi shumë kohë më parë, "tha ai.

“Të gjithë janë të prekur nga ky terror rus”.

'Sulm vdekjeprurës me dron ukrainas' godet Krimenë

Një person është vrarë dhe katër ndërtesa administrative janë dëmtuar nga një sulm ukrainas me dron në Krimenë e kontrolluar nga Rusia, sipas zyrtarëve lokalë, përcjell Bota sot.

Agjencia ruse e lajmeve RIA tha se sulmi ndodhi të enjten në pjesën veriperëndimore të gadishullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat