Ekuador: Dy politikanë të vrarë për një javë

Bota

Ekuador: Dy politikanë të vrarë për një javë

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 18:05
Foto ilustrim

Një lider i partisë lokale është vrarë në Ekuador, politikani i dytë që vritet brenda një jave.

Pedro Briones u qëllua për vdekje nga persona të armatosur me një motoçikletë në shtëpinë e tij, në provincën veriore Esmeraldas. Vrasja e tij vjen vetëm pesë ditë pasi kandidati presidencial Fernando Villavicencio u vra në kryeqytet, Quito.

Shkalla e vrasjeve në Ekuador është rritur pasi bandat lokale kanë krijuar aleanca me kartelet ndërkombëtare të krimit. Vrasjet e politikanëve kanë tronditur vendin përpara zgjedhjeve të parakohshme presidenciale më 20 gusht.

Briones ishte një udhëheqës i Partisë së Revolucionit Qytetar, të krahut të majtë në Esmeraldas. Anëtarët e partisë i shprehën ngushëllimet familjes së tij. Nuk dihet ende se cili mund të ketë qenë motivi i mundshëm.

Provinca Esmeraldas, në kufirin me Kolumbinë, ka qenë një nga vendet më të goditura nga vala e dhunës, e cila është përhapur në të gjithë vendin. Kufiri i saj poroz me Kolumbinë dhe vendndodhja e tij në bregun e Paqësorit e bën krahinën tërheqëse për kontrabandistët e drogës që trafikojnë kokainë nga Kolumbia, përmes Ekuadorit në SHBA dhe Evropë.

Por dhuna nuk është kufizuar vetëm tek Esmeraldas. Muajin e kaluar, kryetari i bashkisë së qytetit port të Mantas në provincën Manabi, u qëllua për vdekje teksa po inspektonte një projekt të punëve publike.

Viktima e profilit më të lartë deri më tani ka qenë Fernando Villavicencio, një gazetar që kishte zbuluar skandale korrupsioni dhe kishte denoncuar lidhjet midis krimit të organizuar dhe zyrtarëve qeveritarë.

Gjashtë persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e tij, të gjithë shtetas kolumbianë, raporton BBC.

Agjentët e FBI-së mbërritën në vend nga ShBA-ja të dielën dhe kanë bashkuar forcat me policinë ekuadoriane, për të hetuar vrasjen e Fernando Villavicencio.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat