LIVE: “Kriset” marrëdhënia Ukrainë-SHBA, ky është shkaku – “Rusia shënjestroi me raketa një anije mallrash në Detin e Zi”

Bota

LIVE: “Kriset” marrëdhënia Ukrainë-SHBA, ky është shkaku – “Rusia shënjestroi me raketa një anije mallrash në Detin e Zi”

Nga: BOTA SOT Më: 11 shtator 2023 Në ora: 06:31 Përditësuar në ora: 09:30 më 11.09.2023
Foto ilustrim

Operacioni “duart e pastra” në Ukrainë

Me një sërë arrestimesh dhe shkarkimesh të zyrtarëve të lartë të qeverisë, si dhe masave të transparencës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po përpiqet të provojë se është i vendosur për të çrrënjosur korrupsionin nga vendi i tij, në mënyrë që të konfirmojë para Perëndimit se është gati për anëtarësimin në BE dhe në NATO.

Javën e kaluar u njoftua shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes, Oleksii Reznikov. Largimi i tij shkaktoi bujë veçanërisht për një vend që është në luftë. Ish-avokati 57-vjeçar ka mbikëqyrur evolucionin e forcave të armatosura të Ukrainës nga një ushtri post-sovjetike.

Pavarësisht lavdërimeve për rolin e tij në sigurimin e armëve të avancuara me vlerë miliarda dollarë, kryesisht nga SHBA dhe Britania e Madhe, një seri skandalesh minuan besueshmërinë e tij dhe çuan në rënien e tij.

Rustem Umerov, 41 vjeç, një tatar i Krimesë që ka marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë dhe ka përvojë të gjatë negociatash, tani i kërkohet të rivendosë marrëdheniet me Reznikovin dhe nderin e humbur të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, pasi ka marrë pjesë në bisedimet jetëshkurtra me Rusinë dhe marrëveshje për drithërat.

Arrestimi i oligarkut

Për më tepër, fundjavën e kaluar, Ihor Kolomoisky, një nga njerëzit më të pasur në vend me një pasuri prej 1.67 miliardë dollarësh, ish-aleat i Zelensky, u arrestua. Aktivitetet e oligarkut, i cili ka një pasaportë qipriote dhe izraelite, varionin nga sektori i energjisë dhe ai bankar e deri te media.

Vlen të theksohet se ndonëse ai kërkohet në Qipro për pastrimin e 5.5 miliardë dollarëve parave, prej katër vitesh nuk mund t’i hiqet shtetësia pavarësisht vendimit përkatës të qeverisë qipriote, për shkak të problemeve ligjore.

Arrestimi i tij konsiderohet një demonstrim pushteti nga Zelensky në duel me oligarkët e vendit, por edhe një emancipim i përgjithshëm nga interesat e biznesit. Dyshimet për korrupsion kundër Kolomoisky janë shumë të vjetra. Në vitin 2017 ai u largua nga Ukraina për në Zvicër dhe Izrael.

Ai u largua pasi qeveria e presidentit të atëhershëm Petro Poroshenko sekuestroi një bankë që ai e kishte në pronësi dhe e akuzoi atë për mashtrim që kërcënonte të destabilizonte të gjithë ekonominë ukrainase.

Por u rikthye në vitin 2019, duke ngritur shqetësimet se marrëdhënia e tyre e veçantë do ta lejonte atë të rifitonte ndikimin ekonomik dhe politik. Megjithatë, një vit më vonë Parlamenti miratoi një ligj që ndalonte kthimin e bankave të shtetëzuara te pronarët e tyre fillestarë, i cili dukej se përfytyronte Kolomoisky.

Një vit më vonë, SHBA vendosi sanksione ndaj oligarkut ukrainas, duke e akuzuar atë për përdorimin e pozitës së tij si guvernator rajonal për përfitime personale dhe përfshirje në një fushatë për të minuar proceset dhe institucionet demokratike të Ukrainës.

Pushtimi rus preku më tej interesat e tij. Forcat ruse shkatërruan një nga rafineritë e tij në Kremenchuk, e cila kontrollohej nga një prej kompanive të tij. Këtë vit qeveria ukrainase shtetëzoi kompaninë e naftës dhe një tjetër që zotëron, duke përmendur nevojën për të siguruar furnizime bazë.

Zelensky gjithashtu u kujdes për të trajtuar korrupsionin sistemik që rregullon përjashtimet mjekësore nga shërbimi ushtarak për 3,000-15,000 dollarë. Është një rrjet i gjerë ryshfeti që ka çuar në largimin e mijëra burrave jashtë vendit, tha ai. “Të gjitha incidentet e dyshimta do të hetohen”, premtoi ai.

Çështja e korrupsionit në rekrutimin e rezervistëve ukrainas doli në dritë në qershor, kur një hetim gazetaresk zbuloi pasurimin e dyshimtë të kreut të komitetit përkatës, Yevgeny Borisov, i cili dukej se zotëronte pasuri të paluajtshme miliona dollarëshe dhe makina luksoze.

Ai mohoi të gjitha akuzat që ia atribuonin pasurinë familjes së tij, me të cilën dyshohet se nuk ka asnjë lidhje financiare.

Ndikimi ndërkombëtar

Megjithëse mbështetësit e Kievit e cilësojnë fushatën kundër korrupsionit të presidentit si një hap për të mposhtur përfundimisht Vladimir Putinin, për të rindërtuar vendin dhe për t’iu bashkuar komunitetit ndërkombëtar dhe strukturave perëndimore, kritikët e Zelensky ka të ngjarë të shfrytëzojnë mundësinë për të denoncuar vendin për korrupsion endemik dhe për të bllokuar ndihmë të mëtejshme ushtarake dhe ekonomike.

Ligjvënësit në Uashington po shqyrtojnë kërkesën e Presidentit Joe Biden për ndihmë prej 24 miliardë dollarësh për Ukrainën, por një grup i vogël por i zëshëm ligjvënësish republikanë kundërshton çdo nismë të re.

Neë York Times zbuloi se operacioni i “duarve të pastra” të Zelensky u parapri nga presioni i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan për të ndërmarrë nisma konkrete për të heshtur zërat kundërshtues në Uashington.

Më në fund, ligjvënësit ukrainas rivendosën këtë javë një dispozitë që kërkon zbulimin e aseteve të tyre, një kusht i vendosur nga FMN-ja për të liruar një pjesë të një pakete ekonomike prej 15.6 miliardë dollarësh për Kievin.

SHBA ka të ngjarë të dërgojë “ATACMS” në Ukrainë për herë të parë – pse janë kaq të rëndësishme ato?

Administrata e Joe Biden ka të ngjarë t’i dërgojë Ukrainës, Sistemet Raketore Taktike të Ushtrisë me rreze të gjatë, ose ATACMS, për të ndihmuar në luftën e saj për të zmbrapsur pushtimin rus në territorin e saj, sipas zyrtarëve amerikanë.

“Ato po vijnë”, ka thënë një zyrtar që kishte qasje në planet e ndihmës për sigurinë, shkruajnë mediat e huaja.

Zyrtari vuri në dukje se, si gjithmonë, plane të tilla mund të ndryshojnë derisa të shpallen zyrtarisht.

Një zyrtar i dytë tha se raketat janë “në tryezë” dhe ka të ngjarë të përfshihen në një paketë të ardhshme të ndihmës për sigurinë, duke shtuar se një vendim përfundimtar nuk është marrë.

Mund të kalojnë muaj para se Ukraina të marrë raketat, sipas zyrtarit.

Por i pyetur për këtë çështje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby tha se një vendim nuk është marrë.

“Nuk ka asnjë vendim për ATACMS tani”, ka thënë Kirby gjatë intervistës, në Nju Delhi, Indi. “Siç ka thënë presidenti, ato nuk janë jashtë tryezës”, shtoi Kirby.

Me një distancë deri në 300 kilometrash, në varësi të versionit, vendosja e ATACMS mund t’i lejojë Ukrainës të arrijë objektivat gati katër herë më larg sesa me raketat e ofruara aktualisht për Sistemet e saj të Raketave të Artilerisë.

Administrata deri më tani ka refuzuar kërkesat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për këto armë, edhe pasi Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë dërguar raketa të krahasueshme Storm Shadow, për shkak të shqetësimeve si për përshkallëzimin me Rusinë, ashtu edhe për ruajtjen e rezervave të vetë Amerikës. 

Rusia tërheq pothuajse të gjithë aeroplanët ushtarakë nga Bjellorusia?

Forcat Ajrore Ruse kanë tërhequr pothuajse të gjithë aeroplanët e saj të stacionuar në Bjellorusi, duke lënë pas vetëm një aeroplan sulmues Su-25, raportoi grupi i monitorimit Belarusian Hajun më 8 shtator.

Sipas grupit anti-qeveritar, Rusia tërhoqi grupin e saj të aviacionit më 5 gusht, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një numër i përgjithshëm prej 11 helikopterësh, përfshirë katër Mi-8 dhe shtatë Mi-24, thuhet se fluturuan nga Machulishchy në Seshcha në rajonin Bryansk të Rusisë.

Ndërkohë nëntë aeroplanë Su-34 dhe Su-30SM u rivendosën gjithashtu nga aeroporti Baranavichy në Rusi, sipas bjellorusian Hajun.

Shumica e helikopterëve dhe aeroplanëve thuhet se kanë qenë të stacionuar në Bjellorusi që nga janari 2023.

Rusia përdori territorin bjellorus, me miratimin e regjimit të Aleksandër Lukashenkos, për të nisur një ofensivë të pasuksesshme kundër Ukrainës nga veriu vitin e kaluar, me shpresën për të pushtuar kryeqytetin Kiev.

Kohët e fundit, numri i trupave ruse të vendosura në vend ishte në rënie të vazhdueshme dhe në korrik, zyrtarët ukrainas raportuan se Rusia kishte tërhequr pothuajse të gjitha trupat e saj.

Bjellorusia gjithashtu u bë “mikpritëse” e një numri mercenarësh të Grupit Wagner, të cilët mbërritën pas rebelimit të tyre jetëshkurtër kundër Kremlinit në fund të qershorit.

Megjithëse dolën raporte se kontraktorët filluan të largoheshin pas vdekjes së shefit të tyre Yevgeny Prigozhin në një aksident aeroplani më 23 gusht, Minsk i mohoi këto pretendime, duke thënë se mercenarët do të mbeten aty.

Akordi për eksportin e grurit, Erdogan thirrje partnerëve, kërkon që Rusia të mos shpërfillet në marrëveshje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë thirrje të dielën që Rusia të mos “margjinalizohet” në bisedimet për ringjalljen e një marrëveshjeje të rëndësishme për eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

“Asnjë proces që e margjinalizon Rusinë në iniciativën e Detit të Zi për drithërat nuk do të jetë i zbatueshëm”, tha Erdogani për gazetarë në mbyllje të samitit të G20-ës në Nju Delhi më 10 shtator.

Ai njoftoi për një takim të ardhshëm rreth kësaj çështjeje mes përfaqësuesve nga Rusia, Ukraina dhe Kombet e Bashkuara (OKB), pa treguar datën dhe vendin e saktë të takimit.

OKB-ja dhe Turqia e ndërmjetësuan marrëveshjen për drithërat vitin e kaluar, e cila mundësonte kalimin e sigurt të anijeve civile përmes Detit të Zi, por ajo dështoi pasi Rusia u tërhoq në korrik.

Që prej atëherë, Rusia i ka sulmuar vazhdimisht portet dhe infrastrukturën e Ukrainës. Kievi i ka cilësuar këto sulme si përpjekje cinike të Rusisë për t’ia dëmtuar asaj eksportin dhe për ta minuar sigurinë e ushqimit global.

Një sulm rus me dronë të hënën e goditi një qendër të eksportit të drithërave në lumin Danub, thanë zyrtarët, duke shtuar se u dëmtuan depot dhe pajiset bujqësore si pasojë.

Pak orë më vonë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u takua me Erdoganin në Soçi, duke dhënë shpresa se ata mund ta ringjallin marrëveshjen.

Erdogani tha pas takimit se beson se mund të gjendet një zgjidhje shumë shpejt për marrëveshjen për drithërat.

“Mendoj se është e mundur të kemi përparim. Si Turqi, ne besojmë se do ta arrijmë një marrëveshje e cila do t’i përmbushë pritjet në një kohë të shkurtër”, theksoi ai.

Ndërkohë, Putini tha se Rusia është e “hapur” për ta kthyer marrëveshjen e rëndësishme për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi.

Rusia “nuk mund të na bëjë ballë” për një vit tjetër – thotë shefi i Inteligjencës së Ukrainës

Kreu i Drejtorisë kryesore të Agjencisë së Inteligjencës të Ukrainës (GUR) ka thënë se trupat ruse nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë pushtimin e tyre të plotë për më shumë se një vit, duke shtuar se forcat e Moskës kanë “dështuar mjerueshëm” në nivelin strategjik.

Sipas mediave të huaja, gjeneral-lejtnant Kyrylo Budanov tha në një samit në Kiev të shtunën se pushtimi i Rusisë “nuk funksionoi për mirë” për Kremlinin, duke i lënë forcat e armatosura dhe ekonominë e vendit shumë të dëmtuara.

Madje, Budanov – i cili është bërë i njohur për operacionet e tij psikologjike kundër Rusisë – sugjeroi se lufta mund të përfundojë me fitoren e Ukrainës përpara fundit të vitit 2024.

“… Unë nuk ndajë mendimin se kjo do të jetë një luftë afatgjatë”, vazhdoi ai. “Ky është qëndrimi im personal, i cili bazohet në analizimin e të dhënave që posedojmë…në lidhje me armiqtë tanë. Fizikisht ata nuk mund të rezistojnë për një kohë të gjatë”.

“Nëse po flisni për gjysmë viti, shtatë muaj, deri në një vit, dhe mendoni se kjo është e gjatë dhe afatgjatë, atëherë patjetër që keni të drejtë”.

Budanov tha në ngjarjen të shtunën se lëvizja juglindore është vetëm një aks i operacioneve më të gjera kundërofensive të Ukrainës, duke shtuar: “Ne ende po ecim përpara pak, ngadalë por me siguri”.

Pavarësisht kësaj, Budanov paraqiti një pamje të zymtë të perspektivës ruse, siç pritej nga shefi i spiunazhit ukrainas.

“Gjendja e regjimit në Federatën Ruse tani është krejtësisht e ndryshme nga ajo që ishte para vitit 2022”, citohet të ketë thënë ai.

“Është bërë më e dobët, ekonomia e tyre po dështon dhe ky është një fakt…ata me të vërtetë kanë rënë në fuqinë e tyre ushtarake”.

Moska, tha ai, nuk duket më “aq e fortë sa supozohet të jetë”.

Veç këtyre, sulmet me dron brenda Rusisë, shtoi Budanov, po e shtyjnë shoqërinë ruse në “modalitet paniku”, duke përmendur ndërprerjet në aviacionin civil dhe raportet për një rritje të shitjeve të sigurimeve civile mes sulmeve të fundit të UAV-ve.

Zhvillime të tilla, tha ai janë “një shenjë e sigurt paniku”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat