​Greqia evakuon 90 shtetas të tjerë nga Izraeli

Bota

​Greqia evakuon 90 shtetas të tjerë nga Izraeli

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 18:53
Foto ilustrim

Greqia evakuoi të martën 90 shtetas të saj që ishin bllokuar në Izrael për shkak të luftimeve të ashpra në vendin e Lindjes së Mesme.

Ministria e Jashtme përmes një deklarate tha se shtetasit grekë janë kthyer në vend nëpërmjet transportuesit izraelit EL-AL.

“Për nesër, më 11 tetor, është aranzhuar një fluturim special nga Ministria, për grekët me banim në Izrael, të cilët dëshirojnë të riatdhesohen”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, transmetuesi publik ERT raportoi se Shërbimi Informativ Grek (EYP) dhe policia greke kanë marrë masa shtesë, në bashkëpunim me institucionet kompetente të vendeve evropiane dhe aleate, për të mbrojtur interesat izraelite në vend.

“Prioriteti i të gjitha forcave të sigurisë në vend është rritja e rrjetit të inteligjencës dhe vlerësimi i tyre i vazhdueshëm dhe, natyrisht, ruajtja e rendit, sigurisë për të gjithë dhe qetësisë në territorin grek”, thuhet në deklaratë.

Hamasi dërgoi dhjetëra luftëtarë të cilët depërtuan në qytetet izraelite pranë Rripit të Gazës të shtunën në mes të zjarrit të rëndë me raketa. Hamasi tha se sulmi ishte në përgjigje të shkeljeve izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve.

Izraeli u kundërpërgjigj me një seri sulmesh ajrore në Rripin e Gazës dhe vendosi një bllokadë totale në territorin, ku banojnë afro 2.3 milionë njerëz.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të paktën 830 palestinezë u vranë dhe 4.250 të tjerë u plagosën në bombardimet izraelite të rripit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se do të përdorë të gjithë forcën e Izraelit për të shkatërruar aftësitë e Hamasit dhe "të hakmerret për këtë ditë të zezë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat