Narkoshteti i ri Kosta Rika, si parajsa tropikale po bie në duart e trafikantëve

Bota

Narkoshteti i ri Kosta Rika, si parajsa tropikale po bie në duart e trafikantëve

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 14:25
Foto ilustrim

Kosta Rika po përfshihet gjithnjë e më shumë nga narko-aktiviteti dhe kërkon ndihmën e BE-së për ta luftuar. Kokaina dhe fentanili kanë pushtuar periferitë e kryeqytetit të vendit, ku policia kërkon krerët e bandave. Parajsa tropikale është në prag të kolapsit.

“Këta njerëz, që janë krerët e disa organizatave kriminale, nëse kapen me armë dhe drogë, atëherë ne mund të veprojmë dhe t’i arrestojmë menjëherë”, thotë Rodrigo Alvaro, oficer policie, Kosta Rikë.

Jemi në Pavas, një nga zonat më të rrezikshme të Kosta Rikës. Thuajse çdo ditë, policia vjen këtu në kërkim të bosëve të karteleve që dyshohet se fshihen në këto ndërtesa. Çfarë po ndodh kështu me Kosta Rikën? A po kthehet destinacioni turistik në një narko-shtet?.

“Ka vetëm drogë, vrasje dhe grabitje”, shprehet një grua.

Vitin e kaluar, lufta mes bandave në territorin e vendit shënoi një rritje rekord prej 40 për qind. Pasi shfuqizoi ushtrinë 70 vjet më parë, shteti ka pak mjete për t’i bërë ballë dhunës.

“Ne nuk ishim të përgatitur të përballeshim me një luftë kaq të dhunshme droge. Ka një dallim të madh mes burimeve që ka në dispozicion policia dhe atyre burimeve që kanë në dispozicion trafikantët”,  thotë Mario Zamora, ministër i Rendit Publik, Kosta Rikë.

Kosta Rika dhe BE tani duan të bashkëpunojnë më ngushtë në çështjet e sigurisë. Një ndërhyrje më e fortë në Amerikën Qendrore do të thotë reduktim të fluksit të kokainës në Evropë.

Ndërkohë, policia vendase vazhdon të kërkojë krerët e bandave në Pavas.

Qeveria planifikon të rrisë numrin e oficerëve të policisë me 10 për qind. Por kjo konsiderohet një masë e vonuar për ekspertët, që druhen se vendi do të bjerë nën kontrollin e trafikantëve brenda pak muajve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat