Një përkthyese që punon për kryeministren italiane Giorgia Meloni ka kërkuar publikisht falje pasi me sa duket ka pasur probleme me përkthimin gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
"Ajo që ndodhi është gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë një përkthyesi, është tmerrësisht e turpshme," tha Valentina Maiolini-Rothbacher për Corriere della Sera.
Duke vënë re se përkthyesja e saj ishte në vështirësi, Meloni e ndërpreu atë dhe e përktheu deklaratën e saj në gjuhën angleze.
"Meloni kishte të drejtë që më ndërpreu. Ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe çdo fjalë kishte shumë peshë," tha Maiolini-Rothbacher. “Për fat, nuk thashë asgjë marrëzi”, shtoi ajo.
Ajo shpjegoi se ishte hera e parë në Shtëpinë e Bardhë, se nuk mori asnjë ndihmë dhe se rreth saj ishte shumë zhurmë.
Në një moment Trump iu drejtua asaj me fjalët: “Të lutem, të lutem...”
Maiolini-Rothbacher tha se e gjitha ndoshta e ngatërroi atë.
Përkthyesit janë zakonisht të pranishëm në takimet ndërkombëtare, duke qenë se liderët politikë preferojnë të përdorin gjuhën e tyre amtare në komunikimin publik edhe kur flasin mirë gjuhën angleze, siç është rasti me kryeministren italiane.
Maiolini-Rothbacher njihet si një përkthyese me shumë përvojë dhe ka punuar në një sërë samitesh të rëndësishme.