Trump pas takimit me Zelensky kërcënon papritmas Putin

Bota

Trump pas takimit me Zelensky kërcënon papritmas Putin

Më: 26 prill 2025 Në ora: 23:05
Donald Trump, Vladimir Putin

Një ditë pasi tha se Ukraina dhe Rusia ishin "shumë afër një marrëveshjeje", presidenti i SHBA-së Donald Trump ka pyetur nëse homologu i tij rus Vladimir Putin dëshiron t'i jep fund luftës në Ukrainë.

"Kjo është lufta e Joe Biden ‘të fjetur’, jo e imja. Ishte e dënuar që nga dita e parë dhe nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Nuk do të kishte ndodhur nëse do të kisha qenë president në atë kohë. Tani unë thjesht po përpiqem të pastroj rrëmujën që më lanë Obama dhe Biden, dhe çfarë rrëmujë është."

“Por me gjithë këtë, nuk ka asnjë justifikim që Putin të lëshojë raketa në zonat civile, qytetet dhe fshatrat ditët e fundit. Kjo më shtyn të mendoj se ndoshta ai as që dëshiron ta ndalë luftën, por vetëm po më tërheq zvarrë, kështu që duhet të detyrohet në ndonjë mënyrë tjetër - ndoshta me sanksione financiare ose të tjera. Shumë njerëz po vdesin”, shkroi Trump në Truth Social, raporton KosovaPress.

Sot Trump takoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në margjinat e funeralit të Papa Françeskut, takimi i parë kokë më kokë midis dy liderëve që pas ‘përballjes së nxehtë’ në Shtëpinë e Bardhë, në fund të shkurtit 2025.

Menjëherë pas kësaj mosmarrëveshje, Shtëpia e Bardhë pezulloi shkurtimisht ndihmën ushtarake të SHBA-së dhe shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën. Trump më pas pranoi se ai po "konsideronte seriozisht" vendosjen e sanksioneve dhe tarifave të reja ndaj Rusisë në përpjekje për të detyruar Putin të angazhohej në negociata serioze.

Trump ende nuk e ka ndjekur kërcënimin, megjithëse edhe disa nga aleatët e tij më të vendosur republikanë tani po e bëjnë presion që ta bëjë këtë.

Në fakt, kur Trump njoftoi tarifat e reja globale këtë muaj, një ekonomi kryesore që ai nuk synoi ishte Rusia.

Senatori amerikan Chuck Grassley, një republikan nga Iowa, i bëri thirrje dje Trump që "të vendosë sanksionet më të ashpra ndaj Putin".

Me njoftimin e sotëm, Trump qortoi Putin, të cilin rrallë herë e kritikon publikisht, për herë të dytë brenda po aq ditësh. Të enjten ai i bëri thirrje publikisht liderit rus që të “ndalet” pas sulmit vdekjeprurës në Kiev.

Pas takimit të shkurtër të sotëm mes Zelensky dhe Trump, zyra e presidentit ukrainas njoftoi se ekipet amerikane dhe ukrainase po organizojnë një tjetër takim mes dy liderëve më vonë gjatë ditës. Megjithatë, pas funeralit, Trump shkoi direkt në aeroportin e Romës për të shkuar në Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i presidentit ukrainas, Serhii Nikoforov, tha se Trump dhe Zelensky nuk u takuan më për shkak të orarit të ngjeshur. Zelensky raportoi në mediat sociale se kishte një "takim të mirë" me Trump.

“Shpresojmë për rezultate. Një takim shumë simbolik që ka potencial të bëhet historik, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta", tha ai.

Shtëpia e Bardhë e quajti takimin që zgjati rreth 15 minuta në Vatikan, si "shumë produktiv".

Putin nuk mori pjesë në funeralin e Papa Françeskut, pasi përballet me një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte të kryera ndaj Ukrainës.

Takimi i sotëm me Zelensky u zhvillua menjëherë pasi Trump bëri deklaratën e tij që Ukraina t'ia dorëzojë territorin Rusisë në mënyrë që t'i jep fund luftës. Në një intervistë për revistën Time të publikuar të premten, ai tha se "Krimeja do të mbetet ruse".

Në vitin 2014, Rusia pushtoi gadishullin strategjik, ndërsa pas fillimit të agresionit ushtarak në shkurt 2022, trupat ruse kanë pushtuar edhe Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat