Gjenerali amerikan paralajmëron: "Trump po i kthen shpinën Evropës, një gabim katastrofal"

Bota

Gjenerali amerikan paralajmëron: "Trump po i kthen shpinën Evropës, një gabim katastrofal"

Më: 23 maj 2025 Në ora: 13:12
Ben Hodges (67) ishte komandanti më i lartë i forcave amerikane në Evropë nga viti 2014 deri më 2017

Përballë ndryshimeve të fundit në qasjen e Donald Trump ndaj luftës në Ukrainë, një nga figurat më të larta ushtarake amerikane në Evropë, gjenerali në pension Ben Hodges, ka reaguar ashpër. Në një intervistë për gazetën gjermane BILD, ai e cilëson këtë tërheqje të mundshme të SHBA-së si “një poshtërim për Amerikën” dhe “një gabim katastrofal” që mund të dëmtojë rëndë besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe unitetin e NATO-s.

Presidenti amerikan Donald Trump nuk i kërkon më armëpushim Rusisë dhe nuk përmend më sanksione ndaj saj. Përkundrazi, ai propozon që agresori – Rusia – dhe viktima e luftës – Ukraina – të negociojnë vetë paqen. Në këtë mënyrë, Trump po e distancon gjithnjë e më shumë Amerikën nga Evropa.

Një qasje e tillë është një gabim i rëndë, sipas ish-komandantit të forcave amerikane në Evropë (2014–2017), gjeneralit në pension Ben Hodges. Në një intervistë për BILD, ai thekson:
“Nëse SHBA-ja heq dorë krejtësisht nga mbështetja për Ukrainën, kjo do të ishte një poshtërim për Shtetet e Bashkuara dhe për këtë qeveri. Pas gjithë asaj zhurme për zgjidhje brenda 24 orëve, një tërheqje e tillë do të dëmtonte thellë besueshmërinë e presidentit dhe të administratës.”

Hodges thekson se mbështetja për Ukrainën nuk është një akt bamirësie, por strategji për mbrojtjen e interesave jetike amerikane:
“Mirëqenia jonë ekonomike është e lidhur drejtpërdrejt me atë të Evropës.”

Ai paralajmëron se një distancim nga kontinenti evropian do të ishte “një gabim katastrofal”, pasi SHBA-ja nuk mund të përballojë e vetme sfidat globale – pavarësisht buxhetit të saj të madh të mbrojtjes.
“Na duhen aleatë, dhe aleatët tanë më të besueshëm janë nga Evropa, Kanadaja dhe Australia. T’u kthesh shpinën këtyre aleatëve do të ishte një tradhti e vërtetë.”

Nëse SHBA-ja tërhiqet, Evropa do të duhet ta mbështesë Ukrainën e vetme. Sipas Hodges, kjo është e mundur:
“Nëse bashkohen ekonomitë e BE-së, Britanisë dhe Kanadasë, fuqia e tyre ekonomike e tejkalon atë të Rusisë. Gjithçka varet nga vullneti politik dhe vetëbesimi.”

Ai kërkon nga Gjermania që të marrë udhëheqjen si ekonomia më e fuqishme e kontinentit.
“Vendet e tjera evropiane janë në pritje që Gjermania të japë shembullin.”

Gjenerali thekson gjithashtu se Ukraina do të vazhdojë të luftojë – me ose pa ndihmën amerikane – sepse është çështje e mbijetesës kombëtare.

Ndërkohë, ai e bën të qartë se Vladimir Putini nuk ka ndërmend të ndalë luftën:
“Qëllimi i Rusisë ka mbetur i pandryshuar – shkatërrimi i Ukrainës si shtet. Por më tej, synimi i Putinit është të thyejë NATO-n. Ai do të godasë një vend anëtar të NATO-s për të testuar nëse aleanca do të reagojë. Nëse nuk reagon, atëherë do të jetë fundi i aleancës.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat