​Banka e njohur amerikane tregon katër skenarët për fundin e luftës në Ukrainë

Bota

​Banka e njohur amerikane tregon katër skenarët për fundin e luftës në Ukrainë

Më: 24 maj 2025 Në ora: 16:30
Foto ilustrim

Ukraina dhe Rusia mund të arrijnë marrëveshje të papërsosur deri në fund të tremujorit të dytë që do të ngrinte luftën në terren, por pa përfunduar një marrëveshje paqeje gjithëpërfshirëse, sipas raportit nga departamenti gjeopolitik i bankës amerikane JP Morgan Chase.

Në raporti thuhet se për Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky "faza përfundimtare tashmë ka mbërritur", por qëndrueshmëria e çdo marrëveshjeje do të varet nga ajo se sa i kënaqur do të jetë presidenti rus me koncesionet perëndimore dhe ukrainase, si dhe nga forca e garancive të sigurisë që do të shoqërojnë marrëveshjen, raporton KP.

Analiza paraqet katër skenarë të mundshëm për bisedimet e paqes. Asnjëri nga skenarët nuk supozon se Ukraina do të rimarrë kontrollin e plotë të territorit të saj ose do të bashkohet me NATO-n.

Sipas raportit, shanset e rezultateve më të mira dhe më të këqija për Ukrainën, skenari “Koreja e Jugut” dhe “Bjellorusia”, janë 15 për qind secila.

Skenari i "Koresë së Jugut" parashikon stacionimin e trupave evropiane në Ukrainë si një "forcë parandaluese", me garanci amerikane për ndihmën dhe mbështetjen e inteligjencës, e cila do të stabilizonte zonën nën kontrollin e Kievit, e cila aktualisht mbulon rreth tetëdhjetë për qind të vendit.

Në të kundërt, skenari i "Bjellorusisë" parashikon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të tërhiqen nga mbështetja e Ukrainës, ndërsa Evropa do të dështonte të forconte mbështetjen e saj.

"Rusia do t'i përmbahet kërkesave të saj maksimale dhe do të kërkojë kapitullimin e plotë të Ukrainës, duke e kthyer atë në shtetin e saj vasal. Sipas këtij skenari, Rusia do të fitonte luftën, do të ndante Perëndimin dhe do të rrëzonte në mënyrë të pakthyeshme rendin e vendosur pas Luftës së Dytë Botërore," thuhet në raport.

Analistët besojnë se rezultati më i mundshëm, me një shans pesëdhjetë për qind, është skenari "Gjeorgjia" – të cilin ata e përshkruajnë si "as të mirë as të keq" - Ukraina nuk do të merrte as trupa të huaja dhe as mbështetje të konsiderueshme ushtarake, gjë që do ta linte vendin të ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë së mëtejshme, do të ngadalësonte rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe do të çonte në një "kthim gradual të ndikimit rus".

Skenari i katërt "Izraeli" ka shans njëzet për qind dhe vlerësohet "ende i pranueshëm" - Ukraina do të vazhdonte të merrte ndihmë të fuqishme dhe afatgjatë ushtarake e ekonomike nga Perëndimi, por pa praninë e ushtarëve të huaj në terren.

Një mbështetje e tillë, do t'i lejonte Ukrainës të shndërrohej në një kështjellë ushtarake, të modernizonte ushtrinë dhe përfundimisht të zhvillonte mekanizmin e saj parandalues, por rreziku i një lufte të re do të rrinte vazhdimisht mbi vendin.

Edhe pse negociatat janë rinovuar, dallimet mes palëve mbeten të rëndësishme. Rusia kërkon që Ukraina të njohë aneksimin e Krimesë dhe kontrollin rus mbi pjesë të pesë rajoneve lindore, gjë që Kievi e refuzon. Presidenti Volodymyr Zelensky akuzon Moskën për ngecje të negociatave dhe përpjekje për të blerë kohë.

Pavarësisht ndërhyrjes së presidentit amerikan Donald Trump, i cili u shpreh optimist për një marrëveshje paqeje, ende nuk janë arritur rezultate konkrete.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat