Trump dhe Xi Jinping mund të zhvillojnë një telefonatë mes tensioneve SHBA-Kinë

Bota

Trump dhe Xi Jinping mund të zhvillojnë një telefonatë mes tensioneve SHBA-Kinë

Më: 2 qershor 2025 Në ora: 21:20
Trump dhe Xi Jinping

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe lideri kinez, Xi Jinping, pritet të zhvillojnë një bisedë telefonike gjatë kësaj jave, bëri të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNBC në kushte anonimiteti. Edhe pse telefonata nuk pritet të ndodhë sot, burimet thonë se ajo mund të realizohet “shumë shpejt".

Kjo bisedë e mundshme ndodh në një moment kritik të marrëdhënieve tregtare mes dy fuqive botërore, të cilat janë përkeqësuar pas vendosjes së tarifave të reja nga administrata Trump. Në prill, SHBA-të vendosën tarifa deri në 145% për mallrat kineze, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Kina me kundërmasa të forta.

Ndërkohë që palët ranë dakord në maj për një pauzë 90-ditore në përshkallëzimin e masave, kjo marrëveshje duket se është në rrezik. Uashingtoni akuzon Pekinin për vonesa të qëllimshme në eksportet e lëndëve të para kritike, ndërsa Kina e cilëson qëndrimin amerikan si “provokim të njëanshëm” dhe paralajmëron për pasiguri të shtuar në marrëdhëniet dypalëshe.

Takimi i mundshëm telefonik pritet të jetë përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit tregtar midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat