Negociatat e OKB-së për rregullimin e armëve që funksionojnë me pak ose aspak mbikëqyrje njerëzore përfunduan të shtunën, me një zotim për të vazhduar diskutimet mbi hartimin e rregullave të reja gjatë dy vjetëve të ardhshme.
Diplomatët që u mblodhën në Kombet e Bashkuara në Gjenevë ranë dakord të fillojnë diskutimet mbi opsionet për të rregulluar armët autonome vdekjeprurëse, të njohura shpesh si "robotë vrasës", raporton KosovaPress.
Pas një jave negociatash, të cilat u zgjatën deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës, u arrit një kompromis: shtetet do të kenë dy vjet kohë për të propozuar rregullore që mund të jenë ligjërisht të detyrueshme, por që mund të jenë edhe vullnetare.
Para fillimit të negociatave, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) deklaroi se ishte urgjente të hartoheshin rregulla ligjërisht të detyrueshme brenda një viti. Kjo thirrje u mbështet edhe nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, si dhe nga Papa.
Shqetësimet e tyre burojnë nga lloji i luftës në Ukrainë, Sudan dhe Gaza, ku civilët po vriten nga dronë gjysmë-autonomë. Sipas OKB-së, këtë vit në Sudan, 80% e vdekjeve të civilëve janë shkaktuar nga dronët.
Për momentin, njerëzit mbeten ende në kontroll ndonëse nga një distancë shumë e largët, por organizatat humanitare druhen se jemi në prag të një situate ku armët e mbështetura nga inteligjenca artificiale mund të marrin vetë vendimin për të vrarë.
"Ekziston një shqetësim thelbësor etik kur vendime të tilla që në thelb përcaktojnë jetën ose vdekjen lihen në dorë të programimit, të një algoritmi," u shpreh Georgia Hinds, këshilltare ligjore pranë Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK).
Disa nga vendet më të fuqishme në botë, përfshirë SHBA, Rusinë dhe Izraelin, kishin shprehur tashmë hezitim për të pranuar rregullore të detyrueshme.
Që në ditën e parë, Rusia e vonoi procesin duke kundërshtuar rendin e ditës të takimit. Më pas, SHBA propozoi një afat pesëvjeçar për të diskutuar udhëzime vullnetare - pra jo të detyrueshme për armët autonome.
Një shqetësim kryesor është se duke pasur parasysh periudhën dyvjeçare të diskutimeve për rregulla që mund të mbeten thjesht vullnetare, teknologjia do të vazhdojë të përparojë me shpejtësi, pa asnjë kontroll.
"Ka gjasa që këto sisteme të përhapen gjerësisht. Ato ndryshojnë nga armët bërthamore, pasi nuk janë të vështira për t'u siguruar. Ekzistojnë armë autonome që mund të blihen lehtësisht, apo edhe të krijohen, nga aktorë të ndryshëm: individë, grupe jo-shtetërore apo organizata kriminale", tha Anna Hehir, eksperte për qeverisjen e AI-së ushtarake pranë institutit "Future of Life Institute".
Ekzistojnë gjithashtu pyetje të mëdha se si mund të mbështeten rregullat ekzistuese të luftës nëse ata që kryejnë vrasjet nuk janë njerëz, por makina.
“Këto rregulla janë minimumi i domosdoshëm që ushtritë dhe shtetet kanë zhvilluar dhe kanë rënë dakord t'i përmbahen. Komandanti mbetet përgjegjës për t'u siguruar që përdorimi i forcës është i ligjshëm. Nuk mund ta mbani një makinë përgjegjëse për një shkelje të ligjit", tha Hinds.
Edhe pse shumica e shteteve anëtare të OKB-së bien dakord se duhet të ketë disa kontrolle mbi armët autonome, kompromisi në Gjenevë do të thotë që, të paktën për dy vjetët e ardhshme, armët që mund të përdorin inteligjencën artificiale për të marrë vendime për jetë a vdekje do të mbeten të parregulluara.