​Shpërthen njëri nga vullkanet më aktivë në botë

Bota

​Shpërthen njëri nga vullkanet më aktivë në botë

Më: 23 gusht 2025 Në ora: 19:45
Ilustrim

Vullkani Kilauea në Havai shpërtheu përsëri, duke nxjerrë harqe spektakolare llavë në lartësi deri në 30 metra.

Kjo është hera e 31-të që një nga vullkanet më aktivë në botë ka treguar fuqinë e tij që nga dhjetori i vitit të kaluar, shkruan NPR, përcjell KosovaPress.

Për fat të mirë, shpërthimi është i kufizuar ekskluzivisht në kraterin e majës dhe nuk ka rrezik për zonat e populluara.

Vullkani ndodhet në ishullin më të madh të arkipelagut Havai, 320 kilometra nga qyteti më i madh Honolulu.

Shkencëtarët nuk mund të parashikojnë me siguri se si do të përfundojë shpërthimi aktual. Një model i ngjashëm shpërthimesh të përsëritura është regjistruar më parë, për shembull në vitin 1959, 1969 dhe gjatë shpërthimit që filloi në vitin 1983 dhe zgjati për tri dekada.

Zëdhënësja e parkut, Jessica Ferracane, këshillon këdo që dëshiron të shohë llavën të ndjekë alarmet e Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, pasi episodet e shpërthimit mund të jenë jetëshkurtra.

Ajo i paralajmëroi vizitorët të qëndrojnë në shtigje të shënuara për shkak të skajeve të paqëndrueshme të shkëmbinjve dhe çarjeve të fshehura në tokë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat