Ukraina ka thënë se shkatërroi dy ura brenda Rusisë duke përdorur disa dronë të lirë për të goditur depot e minave dhe municioneve të fshehura atje nga forcat ruse.
Ushtria ukrainase tha se dy urat pranë kufirit me rajonin e Kharkiv të Ukrainës po përdoreshin nga ushtria ruse për të furnizuar trupat e saj.
Për shkak të rëndësisë së tyre strategjike, urat ishin të minuara - në mënyrë që ushtria ruse të kishte mundësinë t'i hidhte në erë në rast të një avancimi të papritur të Ukrainës.
Nuk është e pazakontë që një ushtri nën sulm të shkatërrojë ura, rrugë dhe infrastrukturë tjetër kyçe në territorin e vet për të parandaluar përparimin e armikut. Ukraina e bëri këtë në ditët e para të pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022, duke shkatërruar urat në rrugët që të çonin drejt Kievit. Ky veprim vonoi përparimin rus dhe mbrojti kryeqytetin ukrainas.
Në rastin e dy urave në Rusi, ushtria ukrainase mësoi për depot e minave dhe i përdori ato në avantazhin e vet.
Brigada e 58-të e Këmbësorisë së Motorizuar e Ukrainës, e cila kreu operacionin, i tha CNN se vendosën ta shikonin urën nga afër pasi vunë re një aktivitet të pazakontë përreth saj.
Një video e filmuar nga droni e tregon atë duke iu afruar urës dhe duke zbuluar një grumbull të madh minash antitank dhe municionesh të tjera.
Videoja përfundon papritur kur droni godet depon. CNN ka përcaktuar vendndodhjen gjeografike të urës që shihet në video në rajonin e Belgorodit në Rusinë jugore, pranë kufirit me Ukrainën.