SHBA-ja nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejt në Amerikën Latine që nga viti 1989, kur pushtoi Panamën për të rrëzuar atëherë udhëheqësin ushtarak Manuel Noriega.
Nëse Maduro është larguar me forcë nga Venezuela, siç thotë Trump, kjo do të shihet si një fitore e madhe për disa nga figurat më agresive brenda administratës amerikane – disa prej të cilëve kanë mbështetur hapur ndryshimin e regjimit.
SHBA-ja e ka akuzuar Maduron se drejton një organizatë kriminale të trafikut të drogës, diçka që ai e mohon, shkruan BBC, transmeton "Bota sot".
Gjithashtu, SHBA-ja nuk e njeh atë si president legjitim të Venezuelës pasi zgjedhjet e vitit 2024 u konsideruan gjerësisht si jo të lira dhe jo të ndershme.
Nga ana e saj, Venezuela ka akuzuar SHBA-në se kërkon të vjedhë rezervat e saj të naftës, të cilat mendohet se janë më të mëdhatë në botë.
Ajo që mbetet vërtet e paqartë është se çfarë ndodh tani brenda Venezuelës nëse Maduro është me të vërtetë larguar.
Përkrahësit e ndërhyrjes amerikane kanë argumentuar se kjo mund të hapë rrugën për opozitën venezueliane që të marrë pushtetin, e udhëhequr nga fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, ose kandidati opozitar i vitit 2024, Edmundo Gonzalez.
Megjithatë, të tjerë besojnë se gjërat nuk do të jenë kaq të thjeshta.
Ushtarakët dhe paramilitarët në Venezuelë kanë qëndruar besnikë ndaj Maduros, dhe madje disa kritikë të tij kanë frikë se një ndërhyrje direkte e SHBA-së mund të çojë në destabilizim më të madh të vendit.
Sigurisht, do të ketë edhe aleatë të ngushtë të Maduros që do të shqetësohen për të ardhmen e tyre pas lajmit për kapjen e tij.