Kanë mbetur më pak se 48 orë deri në skadimin e Marrëveshjes New START, e cila është e fundit që kufizon arsenalet bërthamore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.
Dhe kjo po ndodh pa asnjë marrëveshje për zgjatje dhe pa negociata serioze për një traktat pasues.
Vetë presidenti amerikan Donald Trump deklaroi së fundmi se “nëse skadon, le të skadojë”.
Traktati New START u nënshkrua në vitin 2010 nga ish-presidenti amerikan Barack Obama dhe presidenti rus i atëhershëm Dmitry Medvedev, dhe hyri në fuqi në vitin 2011. Ai kufizonte arsenalet strategjike bërthamore në 1.550 koka bërthamore të dislokuara, 700 raketa dhe bombardues strategjikë, si dhe 800 lëshues për secilën palë. Këto kufizime u arritën plotësisht deri në vitin 2018 dhe mbeten në fuqi deri më 5 shkurt 2026.
Rëndësia e New START është thelbësore për sigurinë globale. Pas shfuqizimit të një sërë marrëveshjesh të tjera për kontrollin e armëve, kjo mbeti e vetmja marrëveshje që parashikonte mekanizma inspektimi, verifikimi, shkëmbim të dhënash dhe transparencë mes dy fuqive bërthamore më të mëdha në botë. SHBA-ja dhe Rusia zotërojnë rreth 87% të armëve bërthamore globale.
Ekspertët paralajmërojnë se pa New START, të dyja vendet mund të rrisin ndjeshëm arsenalet e tyre bërthamore brenda pak muajsh, duke rritur pasigurinë dhe rrezikun e një gare të re armatimi. Fundi i mekanizmave të transparencës pritet të thellojë mosbesimin dhe tensionet strategjike, me pasoja të gjera për stabilitetin ndërkombëtar.