Mbetjet njerëzore të gjetura në Tasmani, dyshohet të jenë të 31-vjeçares belge të zhdukur në 2023

Bota

Mbetjet njerëzore të gjetura në Tasmani, dyshohet të jenë të 31-vjeçares belge të zhdukur në 2023

Më: 27 shkurt 2026 Në ora: 08:38
Foto ilustrim

Policia ka konfirmuar se mbetjet njerëzore të gjetura në një pyll tropikal të Tasmanisë ka shumë të ngjarë të jenë të Celine Cremer, një udhëtare belge 31-vjeçare që u zhduk në vitin 2023 pas një shëtitjeje pranë Ujëvarave të Filozofit në Waratah, në veriperëndim të ishullit. Pas zhdukjes së saj, kërkimet fillestare të policisë nuk dhanë rezultate, duke e lënë rastin të pazgjidhur për muaj të tërë.

Një kërkim privat, që përfshiu dhjetëra vullnetarë, solli zbulimin e kockave, dhëmbëve, telefonit celular dhe rrobave të saj, gjë që shtyu policinë të rifillonte hetimet. Të premten, me lejen e familjes, policia njoftoi se mbetjet janë “identifikuar përkohësisht” si të Cremer, me prova ekspertësh që ofrojnë “dëshmi bindëse”. Komandanti i Policisë së Tasmanisë, Nathan Johnston, i shprehu ngushëllimet familjes dhe theksoi se ky konfirmim mund t’u japë atyre njëfarë qartësie dhe mbylljeje të çështjes.

Johnston falënderoi gjithashtu komunitetin, personelin e kërkim-shpëtimit dhe vullnetarët që i kushtuan kohë dhe burime të konsiderueshme gjatë shumë fazave të kërkimit. Mot i keq, reshjet e rrëmbyeshme dhe borë e penguan punën e ekipit të policisë, ndërsa burimet e kufizuara shtuan vështirësitë.

Familja e Cremer punësoi më pas një hetues privat që trajnoi grupin e vullnetarëve për të vazhduar kërkimin në zonën e pyllëzuar. Disa prej tyre iu bashkuan pasi panë video të regjistruara nga një regjisor vendas që ndoqi nga afër rastin. Një raport i mjekut ligjor do të përcaktojë identitetin zyrtar të mbetjeve mortore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat