Pesë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar pasi një avion transportues i Amazon Prime Air doli nga pista gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Majamit.
Avioni Boeing 767 po mbërrinte nga Porto Riko kur kaloi përtej pjesës së përdorshme të pistës, goditi pajisjet e navigimit dhe më pas u përplas me disa automjete jashtë perimetrit të aeroportit, raporton BBC.
Sipas kryetares së Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së, Jennifer Homendy, avioni goditi fillimisht një furgon të bardhë Ford, në të cilin ndodheshin shtatë persona, dhe më pas një veturë Toyota Corolla që po qarkullonte në një rrugë pranë aeroportit.
Avioni përfundoi rreth 394 metra përtej pistës, ndërsa pas përplasjes shpërtheu edhe zjarri. Rreth 200 zjarrfikës morën pjesë në operacionin emergjent.
Gjenden regjistruesit e fluturimit
Hetuesit kanë gjetur regjistruesin e të dhënave të fluturimit dhe regjistruesin e zërit në kabinën e pilotëve, të njohur zakonisht si “kutitë e zeza”.
Analizimi i tyre pritet të ndihmojë në përcaktimin e asaj që ndodhi në çastet para se avioni të dilte nga pista.
Homendy e përshkroi vendin e aksidentit si “shkatërrues”, duke thënë se mbeturinat e avionit dhe të automjeteve ndodheshin gjithandej. Ajo theksoi se përparësi e autoriteteve mbetet gjetja dhe identifikimi i viktimave.
Në avion ndodheshin dy anëtarë të ekuipazhit. Autoritetet ende nuk kanë sqaruar nëse personat që humbën jetën ndodheshin në avion, në automjetet e goditura apo në të dyja.
Dyshohet se moti mund të ketë ndikuar
Shkaku i aksidentit ende nuk është përcaktuar. Hetuesit po shqyrtojnë historikun e fluturimit, përvojën dhe trajnimin e ekuipazhit, gjendjen teknike të avionit dhe kushtet atmosferike në momentin e uljes.
Pak çaste para aksidentit, në afërsi të aeroportit ishte regjistruar një stuhi aktive, ndërsa era arrinte shpejtësi deri në 26 nyje.
Ekspertët e aviacionit kanë deklaruar se era e fortë anësore ishte brenda kufijve të lejuar për avionin, por stuhitë mund të shkaktojnë ndryshime të papritura të kushteve atmosferike. Për këtë arsye, moti pritet të jetë një nga drejtimet kryesore të hetimit.
Avioni po operonte fluturimin 7598 të Amazon Air dhe transportonte mallra për Amazonin. Fluturimi realizohej nga kompania 21 Air, ndërsa hetuesit do të shqyrtojnë gjithashtu marrëdhënien kontraktuale ndërmjet dy kompanive.
Dy nga katër pistat e Aeroportit Ndërkombëtar të Majamit vazhdojnë të jenë të mbyllura. Pasagjerët janë paralajmëruar për anulime dhe vonesa të mundshme të fluturimeve.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit ka deklaruar se hetimi synon të përcaktojë jo vetëm mënyrën dhe shkakun e aksidentit, por edhe masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
Burimi: BBC