Kampionati zviceran, një hap drejt rikthimit të garës legjendare ‘Zuri-Metzgete’

Çiklizëm

Kampionati zviceran, një hap drejt rikthimit të garës legjendare ‘Zuri-Metzgete’

Nga: B.S. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 14:16
Në vitin 2006 u zhvillua gara e fundit 'Zuri-Metzgete' për çiklistët profesionistë

Kampionati zviceran i çiklizmit në rrugë, i planifikuar për vitin 2027, mund të shërbejë si një test për rikthimin e mundshëm të garës së famshme ‘Zuri-Metzgete’.

Më shumë se 20 vjet pas zhvillimit të fundit, organizatorët synojnë të rikthejnë në jetë këtë garë historike. Kampionati i Cyrihut dikur konsiderohej një nga garat më të vështira të çiklizmit në Zvicër dhe deri në vitin 2006 tërhiqte çiklistët më të mirë profesionistë të botës.

Kampionati zviceran i vitit 2027 do të shërbejë si prova e parë në itinerarin e parashikuar dhe do të organizohet me një buxhet të kufizuar.

Më 23 qershor do të zhvillohen garat individuale kundër kohës, ndërsa më 27 qershor do të mbahen garat rrugore, me startin dhe finishin në Honggerberg.

Në itinerar janë përfshirë edhe dy ngjitje karakteristike të garës historike ‘Züri-Metzgete’: lartësia e Siglistorfit dhe ngjitja drejt Regensbergut.

A do të rikthehet gara në vitin 2030?

Sipas mediumit zviceran “SFR”, në vitin 2028 mund të organizohet një tjetër provë përgatitore.
Megjithatë, rikthimi i ‘Züri-Metzgete’ si një garë ndërkombëtare njëditore për femra dhe meshkuj kërkon një buxhet prej disa milionë eurosh, si dhe sigurimin e një date në kalendarin e Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI).

Për momentin, mbetet e paqartë nëse do të plotësohen të dyja kushtet.

Synimi, i bërë publik në muajin gusht, është që gara të rikthehet në vitin 2030, por organizimi mund të shtyhet edhe për vitin 2031 ose 2032.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat