Çiklisti Tadej Pogacar vazhdon të dominojë pa rivalë në ‘Tour de France 2026’.
Kampioni slloven fitoi edhe etapën e 14-të, nga Mulhouse në Le Markstein Fellering, një itinerar malor prej 155.3 kilometrash me katër ngjitje të mëdha dhe 3.800 metra diferencë lartësie.
Ky ishte triumfi i katërt etapë për Pogacarin në këtë edicion të Garës së Madhe Franceze, duke forcuar edhe më shumë epërsinë në renditjen e përgjithshme. Çiklisti i UAE-XRG konfirmoi edhe një herë se është i pakrahasueshëm në ngjitje.
Pas tij u rendit shoku i skuadrës, Isaac Del Toro, me 38 sekonda vonesë. Vendin e tretë e zuri talenti francez Paul Seixas (Decathlon CMA CGM), ndërsa Jonas Vingegaard përfundoi i katërti, 44 sekonda pas fituesit. Remco Evenepoel ishte i pesti me 48 sekonda disavantazh.
Juan Ayuso humbi kohë të çmuar ndaj Seixas dhe Del Toros në garën për fanellën e bardhë të çiklistit më të mirë të ri.
Sulmi vendimtar i Pogacarit erdhi 1.7 kilometra para majës së Col du Haag, ngjitja e fundit e kategorisë së parë.
Etapa u karakterizua edhe nga një arratisje e madhe e rreth 30 çiklistëve, ku bënin pjesë Antonio Tiberi dhe Tom Pidcock, por prania e britanikut, që ishte i katërti në renditjen e përgjithshme, bëri që grupi kryesor të mos i lejonte shumë avantazh.
Më pas në krye mbetën Ben Healy, Richard Carapaz, Tobias dhe Anders Johannessen, Valentin Paret-Peintre dhe Einer Rubio. Carapaz ishte çiklisti i fundit që rezistoi përpara se të kapet nga grupi i favoritëve dhe në fund u shpërblye me çmimin e luftëtarit të etapës.
Pogacar kryeson tashmë me mbi katër minuta epërsi.
Falë paraqitjes së shkëlqyer, francezi 20-vjeçar Paul Seixas mori fanellën e bardhë si çiklisti më i mirë i ri.
Të dielën zhvillohet etapa e 15-të nga Champagnole në Plateau de Solaison, 183.9 kilometra e gjatë, me katër ngjitje të klasifikuara dhe 3.950 metra diferencë lartësie.
Pika kulmore do të jetë ngjitja jashtë kategorive drejt Plateau de Solaison, 11.3 kilometra me pjerrësi mesatare 9.1 për qind.
Drejtori i itinerarit të "Tour de France", Thierry Gouvenou, e ka përshkruar këtë ngjitje si "më të vështirë se Alpe d'Huez", duke paralajmëruar një tjetër provë të madhe për pretendentët e renditjes së përgjithshme.
Etapa e 14-të
1. Tadej Pogaçar (UAE Team Emirates XRG) 04h 00' 07''-B : 10
2. Isaac Del Toro Romero (UAE Team Emirates XRG) + 00h 00' 38'B:6
3. Paul Seixas (Decathlon CMA CGM Team) + 00h 00' 38''B:4
4. Jonas Vingegaard (Team Visma | Lease A Bike) 04h 00' 51''+00h 00' 44
5. Remco Evenepoel (Red Bull - Bora – Hansgrohe) + 00h 00' 48
6.. Juan Ayuso (LIDL-TREK) + 00h 00' 50
7. Florian Lipowitz (Red Bull - Bora – Hansgrohe) + 00h 00' 50
8. Richard Carapaz (EF Education – Easypost) + 00h 01' 18
9. Tobias Johannessen (UNO-X Mobility) + 00h 01’ 40
10. Mattias Skjelmose (LIDL-TREK) + 00h 01' 40
Renditja e përgjithshme
1. Tadej Pogaçar (UAE Team Emirates XRG) 51h 18' 28
2. Jonas Vingegaard (Team Visma | Lease A Bike) + 00h 04' 30
3. Remco Evenepoel (Red Bull - Bora – Hansgrohe) + 00h 05' 04
4. Paul Seixas (Decathlon CMA CGM Team)
+ 00h 05' 19''
5. Juan Ayuso (LIDL-TREK) + 00h 05' 22''
6. Florian Lipowitz (Red Bull - Bora – Hansgrohe) + 00h 05' 44''
7. Isaac Del Toro (UAE Team Emirates XRG) + 00h 05' 50''
8. Mattias Skjelmose (LIDL-TREK) + 00h 07' 35''
9. Tom Pidcock (Pinarello-Q36.5 Pro Cycling Team) + 00h 07' 59''
10. Lenny Martinez (Bahrain Victorious) + 00h 08' 25'