Çiklistja që hoqi burkan për të pedaluar si djalë

Çiklizëm

Çiklistja që hoqi burkan për të pedaluar si djalë

Më: 24 tetor 2026 Në ora: 15:07
Fariba Hashimi

Kjo është dëshmia e çiklistes afgane Fariba Hashimi, e cila sfidoi dhunën, diskriminimin dhe regjimin taleban për të ndjekur ëndrrën e saj sportive.

E rritur në një shoqëri konservatore, ajo dhe motra e saj, Yulduz, detyroheshin të fshihnin identitetin për të dalë në biçikletë.

“Duhej të vishesha si djalë, që njerëzit të mos kuptonin se isha vajzë”, kujton Fariba. Pavarësisht kërcënimeve dhe sulmeve, ajo nuk u dorëzua.

“Sapo filloja të pedaloja, ndihesha si një zog që mund të fluturonte. Kjo ndjesi ishte më e fortë se frika”, rrëfen ajo.

Rikthimi i talebanëve në pushtet, në vitin 2021, i detyroi dy motrat të largoheshin nga Afganistani, duke lënë pas familjen dhe vendin e tyre. Me ndihmën e njerëzve të komunitetit të çiklizmit, Fariba dhe Yulduz gjetën strehim në Itali dhe rifilluan karrierën sportive. Në Lojërat Aziatike, Fariba fitoi medaljen e argjendtë, edhe pse garoi pa një ekip të plotë mbështetës dhe pa mekanik.

“Unë isha mekanikja e vetes. E rregulloja dhe e laja vetë biçikletën”, tregon ajo. Ndihma e çiklistëve japonezë gjatë garës ishte vendimtare për arritjen e saj. Për Faribën, kjo medalje përfaqëson shumë më tepër se një sukses sportiv.

“Kjo medalje nuk është vetëm e imja. Ajo u përket të gjitha grave afgane”, shprehet çiklistja, e cila dëshiron të jetë zëri i vajzave që ende nuk kanë lirinë të studiojnë, të punojnë apo të merren me sport.

Pasi u bë pjesë e Lojërave Olimpike “Paris 2024” së bashku me motrën, ajo synon të përgatitet për “Los Anxhelos 2028”.

Megjithatë, ëndrra e saj më e madhe mbetet që një ditë të kthehet në atdhe dhe të ngasë biçikletën pa frikë. “Shpresa ime më e madhe është që vajzat e brezit të ardhshëm të mos kenë nevojë të largohen nga vendi i tyre për të ndjekur ëndrrat”, rrëfen Fariba Hashimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat