Hajdari: Kemi kërkuar nga CEFTA që Kosova të përfaqësohet si shtet e jo përmes UNMIK

Ekonomi

Hajdari: Kemi kërkuar nga CEFTA që Kosova të përfaqësohet si shtet e jo përmes UNMIK

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 11:51
Komisioni për Ekonomi

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) Rozeta Hajdari duke treguar për masat mbrojtëse për disa produkte të Serbisë, ka thënë se ministria që drejton ka përgatitur një letër-shkresë ndaj sekretariatit të CEFTA-s për adresimin e drejt të Kosovës, në këtë rast për të larguar UNMIK-un në përfaqësim.

Ajo këto komente i bërë në diskutimin publik me temën “Barrierat tregtare mes Kosovës dhe Serbisë”, që po zhvillohet në Komisionin për Ekonomi.

“Është një proces që pret për ndërmarrjen e veprimit dhe për adresimin e letrës drejtuar nga Republika e Kosovës në Komitetin drejtues të CEFTA-s që Kosova të përfaqësohet si shtet e jo përmes UNMIK-ut. Këtë letër mund ta keni edhe ju si kopje e cila pritet që të adresohet. Kjo është sa i përket çështjes bilaterale. Kemi edhe problemin tjetër që është përmes mekanizimit rajonal RCC, ku aty kemi zakonisht çështjen e mos njohjes së diplomave dhe certifikatave. Sidoqoftë negociatat për njohjen reciproke profesionale janë duke vazhduar në kornizën e RCC-së dhe CEFTA-s, por që pa sukses ende”, theksoi Hajdari.

Sa i përket reciprocitetit, ajo tha se është mirë të veçohen edhe përpjekjet e ministrisë në raport tregtar me rajonin dhe po ashtu me Serbinë.

“Është mirë të flitet dhe për punët e mira, e jo vetëm ajo se Qeveria Kurti nuk ka vepruar me reciprocitet. Unë reciprocitetin e shoh në çdo aspekt, nuk është vetëm për çështje tregtare. Kjo ka të bëj edhe si në përfaqësimin e Kosovës në politikë, si në transport, si në çdo sektor tjetër Kosova duhet të jetë e barabartë”, theksoi Hajdari.

Përfaqësuesja e KDI-së, Violeta Haxholli ka thënë se pavarësisht se tani nuk ka reciprocitet të plotë tregtar ndaj Serbisë, kompanitë kosovare vazhdojnë të hasin në sfida gjatë eksportit të produkteve në Serbi.

Ajo tha se historikisht, që nga përfundimi i luftës, ka qenë Serbia ajo që ka aplikuar më shumë barriera tregtare ndaj Kosovës, qofshin tarifore apo jotarifore.

“Tani kemi një qeveri të re nga muaji prill i këtij viti, e cila deklaruar do të vendoset reciprociteti tregtar me Serbinë, megjithatë ende nuk kemi ndonjë vendim sa i përket kësaj çështje... Ajo çfarë ne si KDI, kemi evidentuar në këtë raport, edhe një kohësisht iu rekomandojmë institucioneve, është që kjo temë të mos bëhet temë e përplasjeve politike, spektri politik duhet të gjej një koncensus sa i përket raporteve Kosovë-Serbi. Ne kemi parë që në mungesë të konsensusi ne të mos kemi as përkrahje ndërkombëtare për masat tregtare të cilat i kemi marrë ndaj shtetit serb. Dhe gjithashtu kjo temë nuk duhet të politizohet... Serbia ka aplikuar për një kohë të gjatë me barriera dhe masa tregtare ndaj Kosovës, të cilat fare nuk i ka shpallur, por ata janë në terren”, theksoi ajo.

Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, foli për problemet që hasen në raport tregtare me Serbinë.

“Sa i përketë pengesave për mosnjohjen e dokumenteve, për imponimin e dokumenteve strukturave paralele që Serbia i aplikon për tregtinë e Kosovës, është me rëndësi me theksuar edhe faktin logjistik që përmendi ministrja... Gjithashtu kemi probleme transitet që kalojnë përmes Serbisë dhe që vijnë nga vendet e treta, por edhe për eksportet tona që shkojnë në vendet e treta. Shpesh autoritetet serbe nuk e njohin Kosovën si territor të ndarë dhe për këtë kërkojnë të bëhen procedura sikur importi të kishte ndodhur nga ose në Serbi”, tha ai.

Kryetari OEK, Berat Rukiqi ka thënë se çështja e raporteve tregtare me Serbinë është shumë më specifike se sa me vendet e tjera për shkak të konotacionit politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat