Ervin Bushati tregon për vështirësitë financiare të Postës shqiptare

Ekonomi

Ervin Bushati tregon për vështirësitë financiare të Postës shqiptare

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 12:23
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, janë hapur dyert për ditën e tretë të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Mbi 200 kompani të fushave të ndryshme nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe vende të tjera të Evropës, po marrin pjesë në panairin e organizuar nga Klik Ekspo Group.

Drejtori i kompanisë më të vjetër shqiptare, Posta Shqiptare, Ervin Bushati thotë se është lajm i mirë që shumë vende të Ballkanit janë prezente në Tiranë. Udhëheqësi i Postës Shqiptare shton se ndërlidhja mes kompanive ndikon në rritjen e mirëqenies, ofrimit të shërbimeve më të mira dhe më konkurrente dhe vlerës së shtuar për konsumatorët.

Bushati: Posta është kompania më e vjetër në Shqipëri

"Posta është kompania më e vjetër në Shqipëri. Pra, ka filluar gjashtë ditë pas shpalljes së pavarësisë. Kështu që prej 1912, posta ka qenë prezente për të shpërndarë lajmin e mirë të pavarësisë në të gjithë Shqipërinë. Në atë kohë ka qenë në nivelin e një Ministrie të Postës së Telekomunikacionit, ka qenë vertikale, jetike për të dhënë kudo njoftimin e shpalljes të mëmësisë së Shqipërisë nga Turqia", thotë Bushati.

Bushati thekson se Kosova e Shqipëria duhet të zhvillohen si një ekonomi.

Bushati: Sfidat e përbashkëta të kthehen në mundësi

"Shpresoj që në këto fusha ne të fillojmë të koordinojmë sa më shumë pas mbledhjes së qeverive në Elbasan. Gjithë e dimë dhe të gjithë kuptojmë që si një komb, si një shoqëri dhe si një ekonomi duhet të zhvillohemi sa më shumë, të kemi këto sfida të përbashkëta të kthyera në mundësi dhe oportunitete më shumë se sa vështirësi. Mendoj qe çdo hap që është ndërmarrë deri më sot, shkon në punën e mbarë që kemi pasur per një të ardhme sa më të mirë për dy krahët e shoqërisë sonë", thekson ai.

Drejtori i Postës Shqiptare flet për KosovaPress edhe për vështirësitë financiare në dy vitet e fundit.

Bushati: Misionin tonë e kemi vazhduar edhe duke dalë në humbje

"Edhe 2020-ta ka qenë një vit i vështirë nga ana financiare. Megjithatë, ne jemi detyruar që të vazhdojmë dhe të japim shërbimet para se të jetë një kompani në sensin e vetëm të formatit të biznesit apo financiar, është një kompani me një mision social. Ndaj ne këtë mision nuk e kemi ndalur asnjë ditë, duke dalë edhe me humbje, shpeshherë për të vazhduar dhe për të dhënë shërbimet tona. Nga posta dhe me postën kanë të lidhur mënyrën e jetesës pothuajse të gjithë pensionistët, kryejnë pagesat, kështu që nuk mund të ndalonte", shton ai.

Në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit për herë të parë marrin pjesë kompani nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Organizuar nga Klik Ekspo Group, është edicioni i 27-të dhe është i hapur edhe nesër.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) janë sponsor medial të këtij panairi. Të dy këto me stendat e tyre janë pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat