Situatë kritike? Bie sërish Euro, pranë niveleve më të ulëta në 14 vitet e fundit

Ekonomi

Situatë kritike? Bie sërish Euro, pranë niveleve më të ulëta në 14 vitet e fundit

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Rënia e euros në kursin e këmbimit me lekun thellohet më shumë këtë javë dhe monedha europiane po i afrohet niveleve të fundit të vitit 2007.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të mërkurën euro u këmbye me 120.78 lekë. Ky nivel është shumë afër vlerës rekord të 14 viteve të fundit (120.75 lekë, që u shënua në gusht 2019).

Niveli më i ulët i euro i regjistruar ndonjëherë në vend që kur ajo ka dalë si monedhë fizike është shënuar në dhjetor 2007, kur monedha e përbashkët zbriti për një ditë në nivelin e 120.18 lekëve. 

Agjentët e këmbimit valutor shprehen për Monitor se në treg ka ofertë të lartë të euros dhe klientët e rëndësishëm të sektorit bankar, kryesisht në sektorin biznes, në javët e fundit kanë rritur këmbimet e euros.

Një faktor tjetër me shumë rëndësi në ecurinë e kursit të këmbimit gjatë nëntorit dhe dhjetorit mund të ketë qenë mosblerja e mëtejshme e euros nga kompanitë e sektorit të energjisë elektrike.

Në vend të blerjes së euros në tregun valutor, ato i kanë siguruar fondet e nevojshme për blerjen e energjisë nëpërmjet kredive të disbursuara direkt në euro nga sektori bankar.

Në nëntor, qeveria shqiptare garantoi dy kredi me vlerë totale prej 30 milionë eurosh të marra nga OSHEE nga dy banka tregtare në vend. Por, sipas burimeve nga tregu, vlera totale e huave të marra në dy muajt e fundit nga kompanitë e sektorit energjetik në sektorin bankar mund të ketë qenë deri në 3 herë më e lartë.

Në këtë rast, kompanitë e sektorit energjetik dhe qeveria shqiptare kanë shfrytëzuar rezervat e bollshme në valutë të sektorit bankar, duke shmangur blerjen e euros në tregun valutor.

Mosrritja e kërkesës valutore për blerje energjie rrjedhimisht ka neutralizuar një nga faktorët që mund të ushtronin presione nënçmuese për kursin e këmbimit të lekut, duke i hapur rrugë forcimit të mëtejshëm të monedhës kombëtare ndaj euros.

Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar kursin në këtë periudhë është edhe emetimi i Eurobondit, muajin e kaluar. Huaja e siguruar përmes këtyre instrumenteve ka kaluar në llogaritë e qeverisë pranë BSH që në muajin nëntor.

Edhe për shkak të tendencës sezonale të rritjes së shpenzimeve publike në këtë periudhë, shpenzimi i parave të Eurobondit është një faktor potencialisht me ndikim në kursin e këmbimit valutor. 

Ekspertët e këmbimit valutor vërejnë se sidomos pas sigurimit të Eurobondit rënia e kursit të këmbimit të euros ka shënuar një lloj përshpejtimi. Deri në fund të tremujorit të tretë, të dhënat e Bilancit të Pagesave, duket se e mbështesin një tendencë drejt mbiçmimit të lekut ndaj euros.

Deficiti i llogarisë korrente për tremujorin e tretë pësoi rënie me 52% krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti dhe me 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo u ndikua kryesisht nga rritja e turizmit, remitancave dhe e sektorit të fasonerisë.

Megjithatë, gjatë tremujorit të katërt është vërejtur një rritje e presioneve mbi deficitin tregtar nga shtrenjtimi i mallrave të importit, faktor që mund ta ndikojë ndjeshëm bilancin e pagesave për këtë tremujor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat