Aksidentet me fatalitet, Byroja Kosovare e Sigurimeve pagoi mbi 10 milionë euro dëme në vitin 2021

Ekonomi

Aksidentet me fatalitet, Byroja Kosovare e Sigurimeve pagoi mbi 10 milionë euro dëme në vitin 2021

Më: 20 janar 2022 Në ora: 15:42
Pamje nga takimi

Rritja e numrit të rasteve të vdekjeve në aksidentet rrugore mbetet shqetësuese dhe si shkak i kësaj janë mos respektimi i rregullave në komunikacion dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar.

Kështu u tha sot në konferencën e tetë vjetore ndërkombëtare “Mobiliteti i mençur – e ardhmja e transportit te gjelbër dhe të qëndrueshëm”, organizuar nga Kolegji “Tempulli” në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar i Motorizimit AMRKS dhe Institutin për Siguri Rrugore dhe Hulumtime të Transportit.

Drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara “Tempulli”, Muhamed Krasniqi tha se shtimi i aksidenteve me fatalitet mbetet shqetësues dhe se për parandalimin e tyre nevojitet përdorimi i teknologjive të reja. Ai shtoi se ky proces është me plot sfida, por që do të ndikojë në uljen e rasteve me përfundim fatal.

Krasniqi: Për siguri më të madhe në trafik nevojiten teknologji të reja

“Për një siguri më të madhe në trafik duhet të bëjmë çmos për përdorimin e teknologjive të reja dhe lëvizjen më të përshtatshëm në qytet për përdoruesit e rrugëve. Qytetarët duke qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes duhet t’i orientojë në ndërlidhjen e katër shtyllave me të cilat është i orientuar një qytet i mençur, infrastrukturën sociale, fizike, institucionale. Këtu përfshihet qeverisja dhe infrastrukturën ekonomike. Me kalimin në transportin e gjelbër nuk mund të mendohet të realizohet shpejt përderisa nuk bëhen përpjekje maksimale me masa konkrete për rregullimin e trafikut aktual, menaxhimin e transportit ekzistues dhe uljen e aksidenteve. Ky proces do të jetë i gjatë dhe i ndjeshëm me plot sfida, por do të rrisë efikasitetin e transportit të sigurisë rrugore. Krijimi i destinacioneve për ecje dhe çiklizëm për përdorimin e transportit publik do të luajë një rol jashtëzakonisht të madh për rritjen e këtij qëllimi dhe në përmbushjen e kufijve ligjorë sa i përket ajrit duke u mbështetur nga burime të energjisë”, tha ai.

Drejtori i Divizionit të Trafikut nga Policia e Kosovës, nënkolonel Jeton Rexhepi, tha se 2021 mbetet viti me numrin më të madh të vdekjeve në aksidentet rrugore.

Rexhepi: Në vitin 2021 kanë qenë 111 persona të vdekur

"Nëse flasim nga periudha 2021, numri i aksidenteve fatale dhe personave të vdekur ka shënuar një rënie në krahasim me 2019. Kemi dy persona më pak apo 1.77 për qind, ndërsa numri i aksidenteve me lëndime apo aksidenteve me dëme dhe aksidenteve në përgjithësi ka shënuar një rritje në krahasim me 2019, ndërsa numri i aktiviteteve policore që nënkupton edhe ndëshkimit të kundërvajtjeve është në rritje me 8.47 për qind. Sa i përket aksidenteve fatale, Kosova që nga viti 2002 deri në vitin 2021 ka një trend të aksidenteve që në vitin 2010 ose 2008-2009 që ka pasur rritje të fataliteteve në nivel vendi, diku me 176 persona të vdekur apo 2006 me 178. Mirëpo trendi i rënieve vjen nga viti 2011 nga 157 në 121 dhe me një rënie tjetër nga viti 2016 në 110 persona të vdekur në nivel vendi... Ndërsa flasim për vitin që lamë pas, kanë qenë 111 persona të vdekur, 46 ose 41.4 për qind shoferë, prej tyre 5 çiklistë, 4 motoçiklistë dhe 2 traktoristë, 35 apo 31.5 për qind pasagjerë dhe 30 apo 27 për qind kanë qenë këmbësorë. Sa i përket këtyre aksidenteve nga 99 aksidente fatale, 29 prej tyre kanë qenë veturë-këmbësorë, 28 prej tyre kanë qenë vetaksident, numri tjetër është veturë-veturë ndërsa me një përqindje të vogël është veturë-motoçikletë, veturë-kamion dhe kamion-motoçikletë”, tha ai.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku tha se aksidentet e shumta në trafikun rrugor po i sjellin dëme Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ku vetëm vitin e kaluar kanë paguar 10.12 milionë euro dëme

Mazreku: Gjatë 2021 kemi paguar 10.12 milionë euro dëme

"Në vitin 2021 kanë hyrë gjithsej 425 mijë e 500 polica të sigurimit dhe sigurisht se një pjesë e tyre janë të përsëritura, dhe themi vetëm gjatë muajit korrik dhe gusht të vitit të kaluar kanë hyrë nga pika kufitare 200 mijë vetura. Dhe nëse themi se në Kosovë janë të regjistruara 370 mijë vetura në mënyrë të rregullt do të thotë se numri i atyre që vizitojnë Kosovën me targa të huaja është më i lartë. Këto lëvizje të mëdha këto hyrje në Kosovë sigurisht që shkaktojnë edhe aksidente. Gjatë 2021 në Byro janë paraqitur 4.204 aksidente nga bashkudhëtarë nga të huaj që lëvizin në Kosovë, pa regjistrim ose pa sigurim. Numri i tiketave është në rritje, gjithsej 16 mijë tiketa për automjete të paregjistruara. Për ne është sfidë, sepse Byroja Kosovare ka paguar 10.12 milionë euro dëme vetëm gjatë 2021, e që është shumë e lartë se çdo vit paraprak”, ka thënë ai.

Mazreku tha se në bashkëpunim me Kolegjin “Tempulli” dhe Policinë e Kosovës këtë vit do të organizojnë kampanja të shumta për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat