Për herë të parë cigaret elektronike pritet t’i nënshtrohen normës së akcizës

Ekonomi

Për herë të parë cigaret elektronike pritet t’i nënshtrohen normës së akcizës

Më: 26 janar 2022 Në ora: 15:44
Pamje nga takimi

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka paraparë aplikimin e taksës së akcizës në produktet e reja të duhanit dhe zëvendësuesve të tij.

Gjatë arsyetimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për akcizën në produktet e duhanit, ministri i këtij dikasteri, Hekuran Murati ka thënë se kjo formë e akcizës krijon mundësi të gjenerimit të bazës së aplikimit të normës së akcizës, legalizimin dhe mbikëqyrjen e tyre, luftimin e evazionit fiskal, mbrojtjen e shëndetit nga produktet e paregjistruara.

Gjatë shqyrtimit në parim të këtij projektligji në Komisionin për Buxhet dhe Financa, Murati theksoi se në kuadër të këtij projektligji janë përcaktuar njësitë përllogaritëse më të përshtatshme për përllogaritjen e taksës së akcizës për të gjitha produktet e duhanit dhe zëvendësuesit e tij dhe produkteve të reja të duhanit.

“Bëhet fjalë për produktet që janë zëvendësuese të duhanit, në formën e cigareve elektronike, që përmes një lëngu që përmban nikotinë mund ta zëvendësojë duhanin, apo edhe ato produktet e tjera që janë kombinim i duhanit me ndoshta aromatike, ku kemi parë edhe fenomenin që është zgjeruar forma e shisha-bareve përmes avullimit. Pra, ka këtë kuptim dhe përfshirjen edhe të këtyre produkteve që t’i nënshtrohen akcizës meqenëse janë produkte zëvendësuese të duhanit”, tha ai.

Me shumicë votash Komisioni ka miratuar këtë projektligj lidhur me akcizën.

Derisa ministri Murati para Komisionit ka arsyetuar edhe Projektligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, i cili tha se projektligji në fjalë mundëson organizimin e regjistrimit të popullsisë.

“Projektligji për regjistrimin e popullsisë duhet të mbështetet duke qenë se mundëson organizimin e një procesi shumë të rëndësishëm në Republikën e Kosovës, i cili edhe do të financohet në përputhje me legjislacionin relevant për ndarjet buxhetore dhe menaxhimin e financave publike”, theksoi Murati.

Ndërsa, nënkryetari i këtij Komisioni, Mërgim Lushtaku nga PDK-ja, edhe përkundër vërejtjeve për projektligjin në fjalë, tha se do të japin komentet e tyre gjatë dy leximeve.

“Ky projektligj ka mangësi, por sigurisht që edhe si parti opozitare e shohim të rëndësishëm regjistrimin e popullsisë, andaj, ne do ta mbështesim dhe do të japim edhe mendimet në amendamentet e propozuara gjatë dy leximeve”, u shpreh Lushtaku.

Përveç këtij Projektligji për regjistrimin e popullsisë, Komisioni ka miratuar edhe Projektligjin për Shitjen e Banesave për te cilat ekziston e Drejta Banesore i Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat