Ngritja e çmimit të rrymës nuk prek veriun, Kaçaniku thirrje institucioneve, tregon si të veprojnë

Ekonomi

Ngritja e çmimit të rrymës nuk prek veriun, Kaçaniku thirrje institucioneve, tregon si të veprojnë

Nga: G.B Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 14:50
Një protestues mban një poç gjatë protestës në Prishtinë më 29 janar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Vendimi i ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike është padyshim një nga temat më aktuale të momentit.

Për këtë janë paralajmëruar edhe protesta nga disa parti opozitare e shoqëria civile, ndërsa që kanë thënë se vendimin do ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Të pakënaqur me këtë vendim janë edhe qytetarët, pasi do të paguajnë shumë më shtrenjtë për rrymën e shpenzuar, mbi 800 kilovat.

E derisa ata do të paguajnë më shumë për rrymë, kjo nuk vlen edhe për serbët në veri të vendit, të cilët tash e 20 vite nuk paguajnë për energji elektrike e as tani nuk preken nga vendim i ZRRE-së.

Selatin Kaçaniku, ekspert për të drejtat e konsumatorit, nga organizata “Konsumatori”, duke komentuar shtrenjtimin e rrymës, thotë për “Bota sot” se faktori ndërkombëtar ka një pjesë të përgjegjësisë, por që është tërhequr dhe po shikon konfrontimet Kosovë-Serbi.

“Natyrisht se edhe faktori (miqtë) ndërkombëtarë e kanë një pjesë të përgjegjësisë. Por, ky faktor tani s’bëzan, është tërhequr nga skena dhe shikon seri se si do të konfrontohen në politikë e diplomaci - dy palët, Kosova e Serbia. Serbia edhe në prodhim e furnizim të energjisë elektrike vazhdon të dëshmojë hegjemoninë e saj dhe qëllimet destabilizuese, sabotimin e ekonomisë dhe diversion të hapur mbi çdo veprim që tingëllon si zhvillim ekonomik dhe pavarësim i Kosovës nga eksportet e Serbisë. Ajo, Serbia, e di se energjia elektrike është një nga çështjet më të rëndësishme dhe më e ndjeshmja për zhvillimet socio-ekonomike dhe për raportet Kosovë - Serbi brenda Kosovës, brenda Serbisë dhe në bisedimet me ndërmjetësimin e BE-së. Serbia edhe praktikisht po përpiqet të dëshmojë se Kosova “është pjesë e saj” dhe se po e zbaton preambulën e Kushtetutës së saj, e cila është ndryshuar / miratuar pas nënshkrimit të kapitullimit pas bombardimeve 78 ditëshe nga forcat e NATO-s”, thotë ai.

Ai vlerëson se problemet e shkaktuara nga Serbia për të përfituar nga tema dhe poena në Bruksel - detyrimisht duhet të trajtohen edhe në Bruksel.

“E para, për arsye se faktori ndërkombëtar është “ideator” i mos ”provokimit” të një “pakënaqësie popullore-konsumatore” me detyrimin e pagesës së konsumimit të energjisë elektrike nga qytetari konsumator i anës Jugore - i cili nuk e ka shpenzuar këtë energji elektrike - ndaj nuk i takon pagesa. Ligjërisht, juridikisht, sipas Kushtetutës, nga aspekti human, etik… edhe demokratik askush nuk mund ta detyrojë. Çdo detyrim është diskriminim e skllavërim. Në këtë aspekt qytetari / familja konsumatore duhet të kompensohet për të gjitha vitet e eksploatimit me detyrim të pagesës së energjisë elektrike, të cilën nuk e ka shpenzuar”, thekson Kaçaniku.

Ai shton se vendimi për mos pagim të rrymës i favorizon serbët dhe ata kështu nuk e njohin shtetin e Kosovës, e thuaja as nuk janë taksapagues dhe ajo qasje që të paguajnë për serbët qytetarët që e paguajnë rrymën që e shpenzojnë vetë, dhe taksat, sipas tij është zhvatje.

Image
Selatin Kaçaniku

“E dyta sepse miqtë ndërkombëtar sikur i kanë dhënë vetes të drejtë, duke u bazuar në ndihmën e tyre dhe në investimet në prodhimin e energjisë elektrike - kapitalizim ky i cili nuk po vërehet as nuk po shijohet nga qytetari, as nga familja konsumatore. Në anën tjetër, ky vendim i keq e favorizon njërën palë e cila, meqë nuk paguan dhe reziston të paguajë, nuk mund të quhet qytetar, konsumator, as familje konsumatore. Si të tillë ata nuk janë as taksapagues e gjenerues të buxhetit të shtetit, nuk e njohin as nuk i pranojnë përfitimet nga ky shtet?! Kjo qasje e Kuvendit, Presidencës, Qeverisë, MEFT-it, MINT-it… në anën tjetër shkelë mbi të drejtat juridiko-ligjore-kushtetuese-humane-etike…e demokratike të qytetarit dhe të familjes së ndershme, pagues të rregullt e patriotë ekonomik lidhur me obligimet ndaj Republikës së Kosovës. Kjo qasje ndaj qytetarit konsumator dhe familjes konsumatore - pagues të rregullt të energjisë së konsumuar elektrike është zhvatje-detyrim dhe si e tillë është jo ligjore, jo kushtetuese…dhe jo demokratike!”, thekson ai për “Bota sot”.

Kaçaniku thotë se mungesa e juridiksionit në pjesën e veriut është paaftësi politike.

“E treta, vënia në lajthitje / provokim kushtetues lidhur me çështjen, e mungesës së juridiksionit edhe të kësaj Qeverie / Kuvendi / Presidence mbi këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës - dëshmon më shumë për paaftësinë e kësaj klase institucionale, edhe më shumë të klasës politike”, është shprehur ai.

Ai madje tregon se si duhet vepruar Qeveria dhe Kuvendi në Bruksel që ta largojnë Kosovën nga preambula e Kushtetutës së Serbisë.

“E katërta, Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të angazhohen më shumë në Bruksel për ta larguar Kosovën nga preambula e Kushtetutës së Serbisë, po e përsëris, edhe për arsye se është ndryshuar / ndërruar / amandamentuar pas nënshkrimit të kapitullimit, pra pas humbjes së luftës dhe humbjes së çdo të drejte (ani se Serbia nuk ka pasur as trashëguar asnjë të drejtë), si dhe nuk i përket realitetit. Në bazë të kësaj preambule Serbia pretendon se ka të drejtë të ndërhyjë në anën veriore të Kosovës / të Mitrovicës. Në bazë të kësaj preambule edhe faktori ndërkombëtar është i rezervuar në veprimet e Tij në Anën Veriore dhe i kontrollon aktivitetet, edhe më themelore shtetërore, të Kosovës në anën veriore. Në saje të kësaj preambule Serbia vazhdon ta mbajë peng Kosovën me shpresë se do ta aneksojë në një moment të volitshëm - siç mund të jetë “gatishmëria” aktuale e Rusisë për të ndërhyrë në Ukrainë. Në saje të preambulës Serbia vazhdon ta kontrollojë një pjesë të anës veriore, ku mes tjerash, më shumë qarkullon valuta e saj dinari dhe lulëzon krimi i organizuar dhe kontrabanda, kontrabandë kjo që qëllimin kryesor e ka sabotimin e ekonomisë së Kosovës dhe dëmtimin e qytetarit / familjes konsumatore”, thotë ai.

Pse veriu duhet të vazhdojë të mos paguajë rrymën dhe qytetarët e Kosovës ta paguajnë më shtrenjtë atë? Si duhet të veprohet?

Kaçanku vlerëson se qeveria duhet të gjejë formë për sigurimin e juridiksionit në atë pjesë.

“Presidenca / Kuvendi / Qeveria nuk duhet ta diskriminojnë, skllavërojnë, eksploatojnë…qytetarin / familjen konsumatore dhe taksapaguese, por duhet ta përqafojnë sinqerisht si dhe ta mbështesin maksimalisht. Mungesa e juridiksionit të Kosovës mbi anën veriore të Kosovës / Mitrovicës dëshmon po ashtu se Kosova nuk ka treg vendor / treg të brendshëm. Mungesa e tregut vendor / tregut të brendshëm është një nga përgjigjet për mospagesën, për “ortekun” e çmimeve… dhe për shumëçka tjetër. Qeveria duhet të gjejë formën / mënyrën për sigurimin e këtij juridiksioni dhe, duke e njohur / pranuar qytetarin / familjen konsumatore në anën jugore të Kosovës ta njohë / zbatojë trajtimin dinjitoz edhe të qytetarit / familjes konsumatore në anën veriore. Atje, qytetari / familja konsumatore i është lënë mosinteresimit / injorimit nga Qeveria e Kosovës dhe “sundimit politiko-mafioz” të instaluar nga individë të fuqishëm” nga Beogradi zyrtar. Kjo u dëshmua edhe me publikimin e listës së zezë nga SHBA-të. Qeveria e Kosovës duhet të veprojë tutje lidhur me këtë listë. Kjo, edhe për arsye se, nga kjo listë shumë emra ishin tepër të afërt me strukturat qeveritare”, përfundon Kaçaniku për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat