​ATK-ja fton bizneset e huaja që ofrojnë shërbime elektronike në Kosovë të regjistrohen për TVSh

Ekonomi

​ATK-ja fton bizneset e huaja që ofrojnë shërbime elektronike në Kosovë të regjistrohen për TVSh

Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 09:16
Foto ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) ua ka kujtuar të gjitha entiteteve të huaja që të ofrojnë shërbime digjitale apo shërbime të furnizuara në mënyrë elektronike, që bazuar në Legjislacionin Tatimor të Kosovës në fuqi, ofruesit e tillë kanë për obligim që të regjistrohen për TVSh në Kosovë dhe të ngarkojnë TVSh në normën standarde prej 18% në shitjet e tyre ndaj personave (konsumatorëve) jo të tatueshëm në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës për medie, ATK thotë se “Sipas legjislacionit në fuqi, për shërbimet e ofruara në mënyrë elektronike ndaj personave jo të tatueshëm, përkatësisht personave që nuk janë të regjistruar për TVSH në Kosovë, të cilët kanë adresën e tyre të përhershme ose zakonisht banojnë në Kosovë, vendi i furnizimit të këtyre shërbimeve konsiderohet të jetë Kosova dhe duhet të ngarkohet TVSH në Kosovë në normën standarde prej 18%”.

Ligji Nr. 05/L-037 për TVSH parasheh një listë të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike, që përfshinë shërbimet si vijon:

1. Furnizimi i websiteve, web-hosting, mirëmbajtja në largësi e programeve dhe pajisjeve;

2. Furnizimi i software-it dhe freskimi i tij;

3. Furnizimi i figurës, tekstit dhe informatave, dhe vënia në dispozicion e bazës së shënimeve;

4. Furnizimi i muzikës, filmave dhe lojërave, duke përfshirë lojërat shpërblyese dhe lojërat e bixhozit, ngjarjeve politike, kulturore, artistike, sportive, shkencore dhe emisioneve zbavitëse;

5. Furnizimi i mësimit nga largësia.

ATK njofton ofruesit e huaj të shërbimeve të furinuzara në mënyrë elektronike se përmbushja e obligimeve tatimore duhet të bëhet qoftë përmes emërimit të përfaqësuesit fiskal apo përmes regjistrimit të njësisë së përhaershme në Kosovë.

“Administrata Tatimore e Kosovës, njofton ofruesit e huaj të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike se përmbushja e obligimeve tatimore duhet të bëhet qoftë përmes emërimit të përfaqësuesit fiskal apo përmes regjistrimit të njësisë së përhershme në Kosovë. Obligimi për regjistrim rrjedh që nga fillimi i aktivitetit ekonomik në Kosovë, përkatësisht ofruesit ligjërisht obligohen të regjistrohen për TVSH para se të realizojnë shitje të tatueshme në Kosovë. Mos përmbushja tatimore sipas legjislacionit të aplikueshëm dhe kryerja e aktiviteteve ekonomike në Kosovë pa regjistrim fiskal është subjekt i sanksioneve të ndryshme të parapara me Ligjin Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

ATK inkurajon të gjithë ofruesit e shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike qoftë vendor apo ndërkombëtar që të regjistrohen për TVSH dhe të përmbushin obligimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat