​ATK-ja detyron edhe qytetarët të bëjnë deklaratën tatimore për të ardhurat personale deri më 31 mars

Ekonomi

​ATK-ja detyron edhe qytetarët të bëjnë deklaratën tatimore për të ardhurat personale deri më 31 mars

Më: 20 shkurt 2022 Në ora: 13:41
Ilir Murtezaj

Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) nga ky vit ka nis një aktivitet të ri për mbledhjen e tatimeve për buxhetin e shtetit. Edhe qytetarët sikur bizneset, deri më 31 mars do të jenë të detyruar të bëjnë deklaratën tatimore mbi të ardhurat personale në ATK.

Ky institucion nga ky vit po synon t’i shtojë të hyrat buxhetore për arkën e shtetit përmes shtrirjes së bazës tatimore edhe për qytetarët të cilët realizojnë të ardhura individuale nga aktivitetet e ndryshme.

Në kuadër të ligjit për tatimin në të ardhurat personale, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj bën të ditur se çdo qytetarë që realizon një të ardhur personale, është i detyruar të dorëzojë deklaratën tatimore deri më 31 mars të këtij viti.

Në të kundërtën, ndëshkimet për mosdeklarim janë të njëjta edhe për individin sikur për bizneset.

Murtezaj thotë se ideja e këtij aktiviteti të ri është që ATK-ja të shtrijë bazën tatimore edhe te qytetarët.

Murtezaj: Ideja është që ne të shtrijmë bazën tatimore edhe te qytetarët

“Ne po e bëjmë publik një aktivitet që ne gjatë këtij viti, por edhe në vitet në vijim do të fokusohemi në drejtim të ndikimit të shmangies tatimore edhe te personat individual, do të thotë tek individi. Në këtë rast ne jemi duke e zhvilluar deklaratën tatimore për individin që është e ngjashme me deklaratën e tatimit në të ardhura personale, duke përcaktuar disa ndryshime që identifikohen me individin.

Ideja e gjithë kësaj është që ne të shtrijmë bazën tatimore edhe te qytetarët të cilët realizojnë të ardhura nga aktivitet e ndryshme me burim brenda vendit apo jashtë vendit, por njëkohësisht edhe fitimet kapitale që mund të kenë realizuar në të kaluarën e që do të realizojnë edhe në vijim, atëherë duhet t’i përkujtojmë ata që duhet të paguajnë detyrimet tatimore mbi bazën e fitimeve që ata kanë realizuar”, thekson ai.

Për ta pasur më të qartë qytetarët këtë obligim tatimor, Murtezaj theksoi se nëse një qytetar realizon fitim 10 mijë euro në vit, do të paguan tatim rreth 1 mijë euro. Po ashtu, qytetarët që mund të kenë fitim 100 mijë euro brenda një viti, janë të obliguar të paguajnë tatim rreth 10 mijë euro.

Drejtori Murtezaj thotë se ATK-ja këto veprime po i ndërmerr për të mos pasur shmangie të tatimit te kjo kategori e qytetarëve.

Murtezaj: Secili qytetar që ka realizuar një të ardhur, është i detyruar që të dorëzojë deklaratën tatimore deri më 31 mars

“Pa dallim secili qytetarë i Republikës së Kosovës, i moshës mbi 18 vjeç i cili ka realizuar një të ardhur, është i detyruar që të dorëzojë deklaratën tatimore dhe ajo është në periudhën prej 1 janarit deri më 31 mars. Ne në të kaluarën kemi pasur deklarime individuale, por që në realitet ne si institucion nuk është që kemi bërë verifikime të mjaftueshme. Në bazë të informatave tona, është rezultuar që ka hendek ose shmangie të tatimit te kjo kategori e qytetarëve. Ditë në parë ne kemi njoftuar edhe për fitimet kapitale të cilat realizohen nga letrat me vlerë ose nga kripto valutat. Pra, edhe kjo kategori do të përfshihet në këtë deklaratë tatimore”, thekson ai.

Sipas nenit 7 të ligjit për tatimin në të ardhurat personale, të ardhurat bruto nënkuptojnë të gjitha të ardhurat që janë pranuar vërtet apo në mënyrë konstruktive nga burimet vijuese: Pagat; Qiratë; Përdorimi i pasurisë së paprekshme; Fitimet kapitale që rezultojnë nga shitjet e pasurive kapitale, duke përfshirë pasurinë e tundshme, të patundshme dhe letrat me vlerë; Pensionet e paguara në përputhje me legjislacionin përkatës mbi Pensionet në Kosovë.

Murteza ndër të tjera ka folur edhe për performancën e të hyrave të ATK për muajin janar deri më 18 shkurt, i cili tha se kanë inkasuar rreth 100 milionë euro.

Murtezaj: Kemi inkasuar 97 milionë euro

“Edhe në janarin e këtij viti është shënuar një performancë të mirë ku kemi arritur që të tejkalojmë diku rreth 27 përqind më tepër se sa në janarin e vitit 2021. Por me planin e buxhetit kemi tejkaluar për 11 përqind, ndërsa sot kur po flasim prapë kemi mbi 28 përqind apo 97 milionë euro të hyra të mbledhura deri tani”, thotë ai.

Në vitin 2021, ATK ka inkasur tatime rreth 600 milionë euro dhe mbi 200 milionë euro kontribute pensionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat