​Prezantohen planet e Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2022

Ekonomi

​Prezantohen planet e Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2022

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 16:00
Foto ilustrim

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci përmes një videoje ka prezantuar planet për 2022 të kësaj ministrie.

Ai si pikë të parë në shkrimin e tij ka renditur buxhetin e kësaj ministrie që ka një rritje shtesë prej 10 milionë euro, duke vazhduar më pas me programin e granteve që thotë se do të jetë masa përkrahëse për agroturizëm, e që thotë se është njëri ndër sektorët më me potencial për zhvillimin ekonomik e bujqësor të vendit.

Postimi i plotë i Pecit:

Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2022 ka një rritje shtesë prej 10 milionë euro;

Në kuadër të Programit të Granteve, do të jetë masa përkrahëse për agroturizëm, që është njëri ndër sektorët më me potencial për zhvillimin ekonomik e bujqësor të vendit;

Do të mbështesim ndërtimin e pikave të reja grumbulluese për perimtarët dhe pemëtarët, si mekanizma lehtësues për plasimin e produkteve në treg;

Në bazë të analizave të tregut, do të bëjmë klasifikimin e disa produkteve me interes strategjik dhe jetik në Republikën e Kosovës dhe përkrahjen do ta orientojmë në këto kultura strategjike;

Risi në kuadër të Programit për Zhvillim Rural do të jetë përkrahja e fermerëve në gjithë zingjirin prodhues, po ashtu edhe në aspektin e prodhimit të fidanëve cilësore për pemëtarët dhe perimtarët;

Synojmë që në 2- 3 vitet e ardhshme Republika e Kosovës të akreditohet me standarde IPARD, që do të jetë mundësi e jashtëzakonshme për qasje në fondet e BE-së, që mundëson rritjen e përkrahjes për sektorin e bujqësisë;

Do të realizojmë projekte konkrete për të rritur sipërfaqen e tokës bujqësore nën sistemin e ujitjes;

Do të angazhohemi në vazhdimësi për avancimin e qeverisjes në MBPZhR;

Me ngritjen e kapaciteteve të teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimin e disa fushë-veprimtarive, do të kemi të dhëna të sakta dhe një sistem që mënjanon praktikat jo të mira që kanë ekzistuar në të kaluarën në MBPZhR;

Buxheti institucional do të ketë vetëm një adresë, fermerin e vyeshëm, real dhe faktik;

Rritjen më të madhe përmes masave mbështetëse këtë vit do ta kenë perimtarët, në mënyrë që të mbulojmë pjesën e nevojave të tregut me këto prodhime, duke ditur se produktet e perimeve janë ato që janë importuar më së shumti në vitin 2021

Kultivuesit e mjedrës, të cilët kanë depërtuar në tregun evropian, janë storie suksesi që duhet ndjekur nga prodhuesit tjerë;

Afër prodhuesve vendor!

Materiali i përgaditur nga Toka Jonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat