​BPB dhe Oda Amerikane organizojnë punëtorinë “Zhvillimi i Kapitalit Njerëzor”

Ekonomi

​BPB dhe Oda Amerikane organizojnë punëtorinë “Zhvillimi i Kapitalit Njerëzor”

Më: 26 prill 2022 Në ora: 16:52
Foto ilustrim

Banka për Biznes dhe Oda Ekonomike Amerikane kanë organizuar sot punëtorinë me temë “Zhvillimi i Kapitalit Njerëzor”, në të cilën kanë folur Anita Kosumi-Ajeti, udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në BPB dhe Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane.

Në këtë diskutim është folur për çështjet e lidhura me kapitalin njerëzor, përfshirë edhe sigurimin e kuadrove profesionale të punës që janë raportuar kohëve të fundit si çështjet më brengosëse nga ana e bizneseve. 

Në këtë punëtori është diskutuar edhe për Akademinë e Burimeve Njerëzore, projekt i Bankës për Biznes që pritet të finalizohet edhe pak javë, e që qëllim thelbësor ka pikërisht zhvillimin e kuadrove të punës.

Më shumë për projektin e Akademisë së Burimeve Njerëzore detaje ka shpalosur udhëheqësja e Departamentit të Burimeve Njerëzore në BPB, Anita Kosumi-Ajeti.

Kosumi-Ajeti: I njoftuam bizneset me rolin e Akademisë

“Në kuadër të promovimit të HR Akademisë, të cilën po e planifikojmë gjatë këtij muaji, ne e patëm një takim me Odën Amerikane, të cilët na përkrahin në vazhdimësi në të gjitha projektet tona. Qëllimi i këtij takimi ishte që t’i njoftojmë edhe bizneset tjera me rolin e Akademisë, sa është me rëndësi që secili institucion të ketë brenda vetes një shkollë ose një Akademi për rekrutimin e kandidatëve të rinj, por edhe për zhvillimin e stafit aktual, në mënyrë që me kriju kuadro edhe me zhvillu staf që sjellin profitabilitet dhe rezultate për vetë organizatën. Në Bankën tonë, roli i Akademisë, ose funksionimi i Akademisë, është prej vitit 2018-të, tash po e kurorëzojmë me Akademi dhe ideja jonë është që të fuqizojmë të rinjtë dhe trajnimin e tyre për aftësi që janë të domosdoshme në tregun e punës”, ka thënë Anita Kosumi-Ajeti nga Banka për Biznes.

Ndërkaq, Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se e konsiderojnë iniciativën e BPB-së si jashtëzakonisht të qëlluar, e se shton se një çështje e tillë do të duhej ta kishte vëmendjen edhe të institucioneve tjera.

Zeka: Iniciativa e BPB e qëlluar

“Sot në Odën Ekonomike Amerikane patëm mundësi që të mësojmë më shumë nga ana e përfaqësuesve të Bankës për Biznes lidhur me iniciativën e tyre më të fundit për zhvillimin e kuadrove njerëzore në Republikën e Kosovës, e që është titulluar - Akademia e Burimeve Njerëzore. Duke e ditur që çështjet që kanë të bëjnë me gjetjen e kuadrove të duhura të punës dhe çështjet që kanë të bëjnë me kërkesën dhe ofertën në tregun e punës në Republikën e Kosovës kërkojnë një adresim prioritar, atëherë ne e kemi konsideruar këtë iniciativë të Bankës për Biznes si jashtëzakonisht të qëlluar edhe natyrisht do të donim të shihnim një iniciativë të tillë të replikohet edhe nga ana e kompanive tjera në Republikën e Kosovës, meqenëse konsiderojmë që kjo nuk është një çështje që duhet ta ketë vetëm vëmendjen e institucioneve të nivelit qendror, por të gjithë të tjerët. Edhe vetë asociacionet e biznesit, por edhe bizneset individuale. Këtë mënyrë bizneset edhe përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga gjetja e kuadrove të duhura të punës, duke i trajnuar paraprakisht, por natyrisht krijohet edhe kuadro të duhura të punës edhe për bizneset tjera që mund të kenë telashe për gjetjen e njerëzve të duhur”, ka thënë Arian Zeka, drejtor i Odës Amerikane.

Banka për Biznes përveç se do të funksionalizojë Akademinë e Burimeve Njerëzore gjatë muajit maj, tashmë është duke përfunduar edhe përmbylljen e rekrutimit të gjeneratës së pestë të programit BPB Junior, program i bankës, që ka në thelb rekrutimin e studentëve nga Universitetet publike dhe private në vend dhe trajnimin e tyre.

Rreth 40 të rinj që kanë ndjekur këtë program, tashmë janë pjesë e Bankës së Vendit.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat