BQK: Ekonomia e Kosovës shënoi rritje të konsiderueshme

Ekonomi

BQK: Ekonomia e Kosovës shënoi rritje të konsiderueshme

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 09:46
Foto ilustrim

Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se ekonomia e Kosovës vlerësohet të ketë shënuar rritje të konsiderueshme të BPV-së reale prej 10.5 për qind në vitin 2021, pas tkurrjes me të cilën u karakterizua në vitin paraprak, rritje e mbështetur kryesisht nga përmirësimi i shëndetit publik, trendi i vaksinimit dhe politikat stimuluese fiskale e  financiare.

“Në vitin 2019, ekonomia e Kosovës ishte karakterizuar me rritje reale të BPV-së prej 4.8 përqind, e që korrespondon me rritjen mesatare të BPV-së në pesë vitet e fundit. Rigjallërimi me të cilin u karakterizuan konsumi dhe investimet gjatë vitit 2021  kryesisht  u mbështet në lehtësimin e masave  kufizuese që  mbështetën lëvizjen e lirë, dinamikë që u  reflektua në mbështetje shumë të lartë të aktivitetit të gjeneruar nga diaspora. Vetëm në  vitin  2021, kontributi i fluksit të diasporës (remitancat e dërguara, shpenzimet e realizuara në kuadër të komponentës së udhëtimit në Bilancin e Pagesave të vendit, kompenzimi i  punonjësve  sezonal jashtë vendit dhe investimet në patundshmëri) në BPV-në e gjeneruar rezulton të ketë qenë rreth 43 përqind”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së, raporton RTKlive.

Rritja mё e lartё e aktivitetit ekonomik është shёnuar nё sektorin e hoteleve dhe restoranteve (48.7 pёrqind), transportit dhe magazinimit (23.0 pёrqind), tregtisë (17.4 përqind), si dhe ndërtimtarisë (6.6 pёrqind). Ndërsa, rënie vlerёsohet se ka shënuar sektori i furnizimit me  energji elektrike dhe gaz (9.9 pёrqind) si dhe administrimi publik (1.3 pёrqind).

Rikuperimi i aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2021 sipas BQK-së rezulton të jetë gjeneruar kryesisht nga rritja e investimeve prej 10.2 përqind. Kontribut të rëndësishëm në  rritjen  e  investimeve  vlerësohet të ketë pasur rritja e IHD-ve prej 21.8 përqind dhe investimeve publike, të cilat në vitin 2021 shënuan rritje prej 10.8 përqind. Indikacion i rritjes së investimeve gjatë vitit 2021 është edhe rritja  e importit të mallrave kapitale prej 33.7 përqind. Konsumi, si komponenta kryesore e kërkesës së brendshme, ka shënuar rritje reale prej 7.8 përqind, mbështetur nga rritja e konsumit privat prej 7.6 përqind dhe konsumit publik prej 9.1 përqind. Remitencat, si një burim i rëndësishëm  i financimit të konsumit privat, shënuan rritje prej 17.7 përqind në vitin 2021 (15.1 përqind në vitin 2020), ndërsa kompenzimi i punëtorëve shënoj rritje prej 0.2 përqind. Kontribut të rëndësishëm në rritjen e konsumit ka pasur edhe rritja e kreditimit nga ana e sektorit bankar, ku kreditë e reja konsumuese shënuan rritje të përshpejtuar prej 40.3 përqind në vitin  2021.  Përveç  konsumit privat, edhe konsumi publik ka shënuar rritje, pasi që shpenzimet rrjedhëse të qeverisë  kanë shënuar një rritje të lehtë prej 0.6 përqind në vitin 2021.

“Dinamikat që e kanë karakterizuar sektorin e jashtëm të ekonomisë, veçanërisht bilancin tregtar të mallrave dhe shërbimeve, kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e eksportit të mallrave dhe shërbimeve për 84.2 përqind. Rritja e vizitave të diasporës në Kosovë si rezultat i lehtësimit të masave kufizuese si në Kosovë ashtu edhe në vendet ku është e koncentruar diaspora kosovare, kanë rezultuar në rritjen e eksportit të shёrbimeve për 96.4 përqind. Edhe eksporti i mallrave ka shënuar rritje të përshpejtuar prej 58.4 përqind deri në dhjetor 2021. Megjithatë, si rezultat I rritjes së çmimeve por edhe të kërkesës vendore, rritje të lartë ka shënuar edhe importi i mallrave dhe shërbimeve (42.1 përqind), dhe kjo është reflektuar në rritjen e deficitit të mallrave dhe shërbimeve për 13.8 përqind”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat