Guvernatori i BQK-së reagon pas fitores në Arbitrazh

Ekonomi

Guvernatori i BQK-së reagon pas fitores në Arbitrazh

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 22:50
Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti ka thënë se BQK e mirëpret vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit në lidhje me rastin e institucionit mikrofinanciar IuteCredit.

Sipas Mehmetit, fitorja në Arbitrazh dëshmon që vendimi i marrë nga institucioni që ai udhëheq, ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.

“Me këtë rast dua të falenderoj stafin e BQK-së për punë të jashtëzakonshme në këtë proces dhe të gjitha institucionet e vendit. Vendimi për marrjen e licencës së institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” Sh. A. dhe për institucionin financiar jobankar “Monego”, erdhi pas një varg shkeljesh të bëra në kurriz të qytetarëve”, ka theksuar ai.

Mehmeti ka thënë se këto dy institucione, në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit.

Guvernatori ka thënë se IuteCredit dhe Monego kanë sjell në tregun kreditor të Kosovës diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin.

“Devijimi më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi dhe të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi, i cili paraqet një element shumë të rëndësishëm në procesin e marrjes së vendimit për aprovimin e licencave për institucionet financiare. Normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtyre institucioneve, qoftë në raport me normat e interesit në kredi që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend”, ka sqaruar Mehmeti.

Ai ka thënë se BQK mbetet e përkushtuar që të krijojë kushte për konkurrencë të shëndoshë, por në të njëjtën kohë angazhohet vazhdimisht që secili institucion i licencuar të funksionojë sipas ligjeve dhe rregullave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat