Shtrenjtimi i rrymës varfëron edhe më tutje qytetarët dhe bizneset

Ekonomi

Shtrenjtimi i rrymës varfëron edhe më tutje qytetarët dhe bizneset

Më: 3 mars 2023 Në ora: 14:08
Foto ilustrim

Zyra e Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar shqyrtim të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2023. Paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës prej 14 përqind ndikojnë në dëmtim të bizneseve dhe e varfërojnë edhe më tej xhepin e qytetarëve, vlerësojnë njohës të ekonomisë.

Tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të hyjnë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti, deri më 31 mars të vitit 2024. Disa qytetarë që kemi intervistuar, thonë se kjo edhe më tutje i varfëron xhepat e tyre.

“Kjo nuk është në rregull, se kjo situatë është problem për qytetarë. Kjo skamje ndaj qytetarëve, duhet ta mendojë qeveria, kjo është shumë gabim”,  tha një qytetar.

Kjo do të jetë e dëmshme edhe për bizneset, duke e rënduar standardin e tyre ekonomik. Përfaqësuesi i tyre, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë për mediumin publik, se kjo rritje prej 14 përqind, nuk do të jetë e mirëpritur.

“Qeveria e vendit duhet të përkushtohet në mbajtjen e standardit të qytetarëve në nivel edhe kështu të rënduar, nëse kjo do të ndodhë e me gjasa po, do të shtrenjtohet edhe më shumë shporta e qytetarit. Edhe ashtu me Ligjin për Paga ka shumë pakënaqësi, ndryshime nuk ka as në sektorin privat, sepse nuk ka ndonjë lëvizje të madhe. Nëse ndodh kjo, ekonomia e bizneseve dhe e qytetarëve do të jetë më e rënduar”, tha Shahini.  

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, duke folur për mediumin publik, thotë se Kosova e ka humbur betejën me energji, në momentet kur është ndërprerë ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese, dhe nga ana tjetër është edhe një politizim për sa i përket energjisë alternative.

“Nuk duhet të pritet më mirë sepse çmimet janë paralajmëruar se do të rriten çdo vit. Qeveria duhet të ndërtojë kapacitete të reja prodhuese dhe në veçanti me energji alternative dhe në këtë drejtim jemi duke stagnuar. Gjersa po bllokohet prodhimi vendor i energjisë elektrike për shkak të politizimit të burokracisë, po rritet importi  dhe sot në berzën e Hungarisë 1 kilovat i energjisë elektrike është 473 euro, prandaj besoj që duhet të mësohet nga këto dështime, por druaj se edhe më tutje po vazhdon avazi i vjetër i politizimit të energjetikës”, tha Gërxhaliu.

Ndryshe, ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit. Tarifat e reja do të hynë në fuqi më 1 prill 2023 dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2024. Propozimi nga stafi i ZRRE-së është që rritja e nevojshme të jetë rreth 14 për qind.

Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me një normë mesatare inflacioni prej 11.6 për qind.  Rritje kanë pësuar çmimet e pothuajse të gjitha produkteve ushqimore dhe shërbimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat