Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, Gjermano-Kosovare, Klubin e Biznesit dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, organizoi një takim me përfaqësues të bizneseve që janë prekur nga vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji, që ka të bëjë me liberalizimin e tregut të energjisë.
Përfaqësues të Odave Ekonomike të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve, u bënë bashkë për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së, lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë. Ata kërkuan që vendimi të pezullohet për të paktën 1 vit dhe kërkuan takim me përfaqësuesit e ZRRE-së lidhur me kërkesat e tyre.
“Ky vendim ka ardhur në një moment jo të mirë, është shqetësim i përbashkët dalja në tregun e lirë”, tha Lulzim Rafuna, nga Oda Ekonomike e Kosovës.
“Duhet të shtyhet të paktën për një apo dy vjet, derisa bizneset të jenë të gatshme për ta përballuar”, tha Skënder Krasniqi, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
Edhe përfaqësues nga Oda Amerikane dhe ajo Gjermano-Kosovare kërkuan përgatitje të nevojshme për këtë proces, duke bërë thirrje për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ndërkaq, përfaqësues të bizneseve paraqitën qëndrimet e tyre.
“Kërkojmë të shtyhet vendimi ose, nëse kjo nuk ndodh, të paktën të ofrohen subvencione për sektorin e prodhimit, në mënyrë që të përballojnë koston shtesë të energjisë”, tha Kushtrim Ajvazi, nga Shoqata e Prodhuesve Kosovarë.
“Ne nuk jemi të informuar për këtë proces. Kush jep garancion nëse nuk ka furnizim të qëndrueshëm me rrymë”, tha një përfaqësues biznesi.
Nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ata paralajmëruan edhe forma të tjera të kundërshtimit përmes protestave. Sipas ZRRE-së, tashmë janë plotësuar kushtet e nevojshme për t’u mundësuar konsumatorëve që përmbushin kriteret të kalojnë në treg të hapur dhe të përfitojnë nga mundësitë e konkurrencës.