Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së 643 përfituesve të Skemës së Granteve për Investime – LOT 1, në kuadër të projektit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale, i cili zbatohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me organizatën GIZ.
Kurti e cilësoi këtë si një ditë të rëndësishme për bujqësinë dhe ekonominë rurale të Kosovës, duke theksuar se bujqësia është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe e sigurisë ushqimore.
Ai tha se mbi 1,200 fermerë dhe ndërmarrës rural kishin aplikuar për programin, ndërsa pas një procesi konkurrues janë përzgjedhur 643 përfitues, prej të cilëve 556 në LOT-in e parë, 65 në LOT-in e dytë dhe 22 në LOT-in e tretë.
“Këto nuk janë vetëm shifra, por 643 investime në ekonominë e Kosovës, qindra biznese që do të modernizohen, vende të reja pune dhe familje që do të kenë më shumë mirëqenie,” deklaroi Kurti.